Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i kthehet keq Veliaj: Gjuhë vulgare dhe injorante ndaj ‘Europa Nostras’

0
144

Nga: Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit – zyrtare

KOMUNIKATË

Ditën e sotme, Kryetari në detyrë i Bashkisë Tiranë, në një takim në Bulevardin e Ri ku prezantoi idenë e një godine të re për Bashkinë Tiranë, ndër të tjera u shpreh edhe për Teatrin Kombëtar. Ndryshe nga të gjitha pronocimet e tjera publike, sot Erion Veliaj me këtë deklaratë i ktheu përgjigje letrës së dërguar atij nga Presidenti i Europa Nostra-s, Z.Parzinger.

Me një gjuhë vulgare, të dëgjuar dhe ripërsëritur në këta dy vjet, fjalimi i sotëm, si përgjigja publike drejtuar Europa Nostra-s, tingëlloi në tonet e injorimit, talljes dhe përçudnimit të institucioneve europiane. Shqipëria si vend që pret të marrë statusin kandidat në Bashkimin Europian, komunikimin diplomatik me institucionet e larta publike europiane, duhet ta përmbajë në kornizat e seriozitetit institucional. Deklarata e sotme e kryebashkiakut të kryeqytetit ishte larg asaj të një autoriteti zyrtar. Ishte gjuha e një njeriu vulgar ne komunikim dhe injorant në dije, i cili vetëm me administrimin e pasurive publike dhe zhvillimin e kulturës nuk mund të ketë lidhje.

Europa Nostra Organizata PanEuropiane, qysh në vitin 2011 nxit dhe udhëheq grupimin më të madh të trupave për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Europë nën Aleancën 3.3 (me 49 antarë). Ajo është krijuar dhe mbahet si një nismë e Bashkimit Europian, përmes European Investment Bank dhe Creative Europe. Kjo organizatë ka ndihmuar në shpëtimin nga humbja e disa vendndodhjeve në rrezik të ndodhura në vendin tonë dhe Teatri Kombëtar është nominuar në 14 vendndodhjet më të rrezikuara për vitin 2020. Vetëm pak ditë më parë Presidenti i Europa Nostra-s, tepër i shqetësuar, i drejtoi tre letra respektivisht Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ku ndër të tjera cilësonte: “Duke u nisur nga vlerësimi i veçantë, i treguar nga paneli këshillues për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me shumë mundësi Teatri Kombëtar do të përzgjidhet një nga 7 vendndodhjet më të rrezikuara… Asnjë nga 29 vendndodhjet e përzgjedhura më parë në programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara” nuk është prishur dhe do të ishte hera e parë nëse fati i keq do të ishte ruajtur për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me gjithë mbështetjen e treguar në nivel kombëtar dhe Europian. Ne sërish shpresojmë shumë që mund të mbështetemi në mbështetjen tuaj aktive në mbajtjen dhe zhvillimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe ne japim mbështetjen tonë për të vepruar në këtë drejtim.” përfundon letrën Z.Hermann Parzinger, Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra.

Me deklaratën e sotme publike, Erion Veliaj tregoi edhe një herë mungesën e ndjeshmërisë ndaj qytetit që drejton, duke anatemuar dhe ironizuar jo vetëm qytetarët në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, por edhe duke injoruar mesazhet diplomatike që ambasadorët e vendeve te ndryshme, ditët e fundit, kanë dhënë në drejtim të kauzës së Teatrit. Mbështetja europiane që ka ardhur në drejtim të Teatrit Kombëtar mesa duket është injoruar tërësisht nga kryebashkiaku, i cili për vete nuk ka asnjë mbështetje të diplomatëve europiane dhe as të institucioneve apo organizatave europiane.

Gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje institucioneve të larta të shtetit të distancohen nga kjo deklaratë e sotmja e kryebashkiakut, duke e parë si një cënim të marrëdhënieve diplomatike me institucionet dhe organizatat në mbrojtje të kulturës europiane, pjesë e të cilave janë edhe pasuritë kulturore shqiptare, sipas konventave dhe marrëveshjeve që shteti shqiptar ka nënshkruar dhe është i detyruar t’i respektojë.

Gjithashtu, dosja e Teatrit Kombëtar, është depozituar në 24 korrik 2019, nga Presidenti i Republikës në Gjykatën Kushtetuese, e cila në 26 dhjetor 2019, e mori në shqyrtim në dhomë këshillimi. Në të njëjtën datë, Bashkisë Tiranë, dhe 4 institucione të tjera, i është kërkuar nga ana e kësaj gjykate, të përgjigjet me komente në lidhje me këtë kërkesë të bërë nga ana e Presidentit, brenda datës 22 janar 2020.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, si mekanizmi njerëzor që qëndron vigjilent për çdo fjalë publike apo private që thuhet apo transmetohet në lidhje me çështjen e Teatrit, ka vënë menjëherë në dijeni Europa Nostra-n në lidhje me këtë deklaratë publike të bërë sot nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Qytetarët në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhe atij Kombëtar Eksperimental janë të vendosur të mos tolerojnë asnjë të thënë apo të bërë nga Kryebashkiaku, për të cilin kanë depozituar edhe një kallzim penal pranë prokurorisë speciale SPAK, më 31 dhjetor 2019, për shpërdorim detyre. Çdo person publik, i cili mban detyra publike dhe përfaqëson institucione publike shqiptare, duhet të tregohet shumë i kujdesshëm në lidhje me çështjen e Teatrit. Qytetarët nuk do të anashkalojnë asnjë koment, deklaratë apo komunikatë në lidhje me Teatrin dhe për çdo veprim apo komunikim do të raportojnë në institucionet europiane dhe përfaqësitë diplomatike europiane në Tiranë.

Teatri është pasuri kulturore shqiptare dhe europiane dhe godina e tij mbrohet nga populli shqiptar dhe Europa Nostra!

Tiranë, 23 janar 2020

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here