Revolta e banorëve të prekur nga tërmeti: Po na sorollasin rrugëve….

0
156

Në Durrës, dëmet nga tërmeti janë të pranishme ngado. Të shkatërruar e krejtësisht të pabanueshme janë blloqe të tëra banimi në qytetin bregdetar, ndërsa shumë prej banorëve janë detyruar të largohen pasi shtëpitë e tyre nuk ofrojnë siguri për jetën.

Pas akt- konstatimit nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj pallatet u shpallën të banueshëm, e për rrjedhojë banorëve iu komunikua se duhet të qëndronin nëpër hotele ose shtëpi me qira. Për qiranë të gjithë ata banorë që mbetën pa shtëpi do të përfitonin bonus qiraje. Por sot pas dy muajsh ka ende familje që nuk kanë arritur të marrin asnjë qindarkë.

“Nga hoteli më kanë nxjerrë, me një grua të sëmurë jam”, shprehet një banor.

Pyetje: A iu ka dalë emri në listë.

Qytetari: Jo!

Pyetje: Sa kohë ke që ke aplikuar?

Qytetari: Që në datën 30 dhjetor.

Pyetje: Ku po jetoni?

Qytetari: Aktualisht jetoj me qira, qiraxhiu kërkon lekët.

Pyetje: Hasni burokraci në zyrat shtetërore?

Qytetari: Normale që po has. Fola me prefektin në telefon më tha do takosh Florian Tahirin. E takova dhe ai më tha do shkosh tek zonja Diana, erdha para disa ditësh nuk gjendeshin dokumetat, që unë kisha aplikuar. I gjetën tani më thonë do presësh. 150 mijë lekë qiraja është qiraja tek plepat.

Për këtë zotëri qiraja që duhet të paguajë është tepër e lartë dhe në kushtet ku ndodhet e ka të pamundur ta përballojë. Për këtë i duhet të sorollatet nëpër zyrat e bashkisë që të mund të përfitojë bonusin e qirasë.

“E treta herë, shkoni tek komuna, nuk është konstatuar hyrja”, shprehet një tjetër qytetar.

Pyetje: Ku jetoni?

Qytetari: Unë jetoj me qira.

Pyetje: Sa paguani?

Qytetari: 300 mijë lekë po ku ia arrij unë. Ka dy muaj që kam aplikuar për bonus. Tani thonë shkoni njëherë në komunë, hajde edhe njëherë se skanë ardhur për ta kontrolluar, s’të japin rrugëzgjidhje.

Ndërkohë në këtë zyrë, përveç qytetarëve që janë për bonus, ka edhe shumë të tjerë që kërkojnë të mbarojnë punë për probleme që nuk lidhen me tërmetin. E gjithë kjo sjell radhë dhe vonesa për ata që duhet të aplikojnë për bonus. Qytetarët shprehen se nuk ka asnjë organizim.

“Unë tani po i dorëzoj, por shkova sot atje dhe më sorollatën, më tha se duhet dy kopje, një për në bashki dhe një tek te komuna, pastaj doli një burrë tjetër që priste, jo tha nuk lejohet”, shprehet qytetari.

“Një muaj e gjysëm afër dy. Erdhën inxhinierët, e verifikuan, bëmë letra të tjera sërish dhe nuk japin përgjigje”.

Të njëjtin shqetësim kanë qindra familje në qytetin e Durrësit, ndërkohë nënkryetari i Bashkisë, Florian Tahiri deklaroi se grupet e punës ndodhen ne terren dhe po punojnë për të verifikuar gjendjen e të gjitha objekteve./abcnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here