Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka reaguar pas reportazhit të Rai 3, që fliste për 12 fishim të kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Në një reagim, Lleshaj shkruan se kjo nuk është hera e parë që një media bie pre e dizinformimit.
Më tej shton se falë partneriteti me Italinë, Shqipëria është çliruar nga fenomeni i kultivimit masiv të kanabisit dhe shënon çdo vit rezultate asfiksuese për krimin në këtë fushë.
“Nuk është hera e parë, që një media në Itali bie pre e dizinformimit dhe papërgjegjshmërisë së ndonjë individi në përcjelljen e lajmeve mbi luftën kundër kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Kjo gazetari sensacionale pa skrupuj fyen partneritetin e shkëlqyer me kolegët italianë!
Falë këtij partneriteti Shqipëria është çliruar nga fenomeni i kultivimit masiv të kanabisit dhe shënon çdo vit rezultate asfiksuese për krimin në këtë fushë. Fatmirësisht këto rezultate janë të certifikuara nga autoriteti i padiskutueshëm i Guardia di Finanza-s. Beteja vijon ?????”, shkruan Sandër Lleshaj.
Mbrëmë, në edicionin qëndror të lajmeve, Rai 3 ka transmetuar një kronikë ku vihet në dukje rritja e prodhimit të kanabisit me 1200%. Gazetari italian shprehet se janë gjetur më shumë se 100 mijë bimë në male, dhe shton se televizioni ka parë një raport të brendshëm të “Guardia Di Finanza”, që konfirmon shifrat e nxjerra.
Pas kësaj kronike kanë ardhur edhe reagimet e opozitës në Shqipëri. Ish-kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili shprehet se kronika e TG3 tregon se kryeministri Edi Rama dhe Sandër Leshaj kanë mashtruar. Ndërsa PD-ja shton se rritja e shifrave tregon se po afrohen zgjedhjet dhe se qeveria do i blejë sërish ato me kanabisizimin e vendit.