Pjerin Ndreu, kryebashkiaku i emëruar i Lezhës, u shpreh dje se të gjitha familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe janë shpallur të pabanueshme, po trajtohen ose me bonus qeraje ose me akomodim.
Debati në studion e “Open” lindi pasi një familje pohoi se qendra humanitare “Sebastia” i ka siguruar familjes një kontenier, ku ata strehohen.
“Sebastia” nuk bashkëpunon me bashkitë, por veprojnë si një qendër humanitare, dhe kanë strehuar familjen e prekur nga tërmeti, e cila ishte lënë në mëshirë nga bashkia.
Por ky pohim ka nxehur Pjerin Ndreun, i cili tha se, nuk ka snjë shans që të vendoset një kontenier pa pasur bashkëpunimin me pushtetin vendor.
“Unë jam kryebashkiak, ju dëgjoni një qytetar atje. Unë ju them se nuk ka asnjë shans që të akomodohet një familje pa pasur bashkëpunim mes shoqatave humanitare dhe pushtetit vendor.
Kam konfirmimin e administratorit të Mamurrasit që thotë se kjo familje është akomoduar në çadër, marrin edhe ndihmë mujore nga një shoqatë”, tha Ndreu.
Sipas tij, nuk ka asnjë shans që shoqatat të veprojnë dhe të vendosin kontenierë apo çadra ka koordinimin e tyre me bashkitë.
Por një prej familjarëve tha se ata jetojnë në një kontenier, të siguruar nga shoqata humanitare “Sebastia”.
“Jemi 8 pjesëtarë, jemi të vendosur në një kontenier, pasi çadra që na ofroi pushteti vendor në ditët e para, kishte kushte shumë të këqija dhe nuk mund të jetohej”, tha familjari.