Me “një të rënë të lapsit”, Qeveria e drejtuar nga Edi Rama ka rritur me 70 milionë lekë të reja, pa asnjë argument zyrtar e publik, vlerën e shpronësimit të tokës private për efekt të ndërtimit të inceneratorit të Sharrës nga koncensionari ‘Integrated Energy Bv”, e Klodian Zotos.
Në ditët e fundit të vitit 2018, kabineti qeveritar, nën drejtimin e kryeministrit Rama, miratoi Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 811, në bazë të të cilit i akordohej Bashkisë së Tiranës fondi prej 284 995 840 lekësh, i cili do të përdorej për shpronësimin e 478.800 m2 në zonën e Vaqarrit (Sharrë) në kryeqytet.
Pas shpronësimit, kjo tokë do i kalonte kompanisë “Integrated Energy BV”, e cila ishte shpallur fituese e koncensionit për ndërtimin e inceneratorit të përpunimit të mbetjeve urbane në Tiranë.
Vlera e shpronësimit, e miratuar nga Edi Rama, është shumë më e lartë se sa ajo që është parashikuar në Studimin e Fizibilitetit, i cili ishte hartuar vetëm dy vjet më parë, në vitin 2016.
Sipas Studimit të Fizibilitetit, vlera e tokës që do të shpronësohej në favor të “Integrated Energy” ishte 214.502.400 lekë, pra rreth 70 milionë lekë të reja më pak se sa ajo që akordoi qeveria e Ramës.
Pak ditë më parë, drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, ngriti pikëpyetje mbi vendimin e qeverisë dhe raportin e saj me Klodian Zoton, drejtuesin e koncensionarit të Tiranës, por edhe të Fierit.
Malltezi shtroi pyetjet se “përse duhen shpronësuar 478.800 m2 në favor të një kompanie private”?, si edhe “përse ka dallime nga kinse studimi Rama-Zoto me VKM e miratuar nga Rama-Ahmetaj?”.
Dyshimet mbi projektin dhe shpronësim
“Boldnews.al” konsultoi Studimin e Fizibilitetit të hartuar në Dhjetor 2016, të publikuar në portalin “Open corporates Albania”, ku parashtroheshin nevojat për ndërtimin e një inceneratori për mbetjet urbane në Tiranë, si edhe hapësira e nevojshme për ngritjen e tij.
Dokumenti tregon se inceneratori i Tiranës ishte një propozim i pakërkuar nga kompania “Integrated Energy BV”, e regjistruar në Hollandë, me administrator biznesmenin Klodian Zoto, për të cilin janë hedhur akuza publike se është “mëkëmbës” i ministrit Arben Ahmetaj.
Studimi parashikon që ndërtimi i impiantit do të realizohej sipas skemës së Partneritetit Publik-Privat (PPP), ndërkohë që “Integrated Energy” kishte fituar një bonus prej 8 pikësh nga Qeveria Shqiptare për hartimin e propozimit të pakërkuar.
Forma e ndërtimit të inceneratorit ishte BOT (Built-Operate-Transfer, pra Ndërtim-Operim-Transferim). Studimi parashikonte që objekti do të kushtonte 122 milionë euro, të cilat do të investoheshin nga kompania private dhe do të paguheshin në mënyrë periodike nga Qeveria Shqiptare dhe skema PPP do të vijonte për një afat 30-vjeçar.
Sipas dokumentit, për të cilin gjithësesi ka pikëpyetje publike mbi saktësinë dhe vërtetësinë e tij, parashikonte që ndërtimi i impiantit të mbledhjes dhe përpunimit të përpunimit të mbetjeve urbane në Tiranë kërkonte një hapësirë prej rreth 1.200.000 m2.
Sipërfaqja e vend-grumbullimit të vjetër të mbetje në Tiranë, në pronësi të Bashkisë së kryqytetit, ishte 721.000 m2. Sipas llogarive të realizuara në Studimin e Fizibilitetit, për ndërtimin e plotë të impiantit nevojitej edhe një sipërfaqe prej 478.800 m2, të cilat ishin në pronësi private.
Diferenca në çmim
Në Studimin e Fizibilitetit të vitit 2016, parashikohej që vlera e shpronësimit të tokës private ishte 214.502.400 lekë.
Kjo vlerë ishte përllogaritur në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.89, dt. 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”.
Në bazë të këtij vendimi, vlera e tokës që do të shpronësohej për llogari të “Integrated Energy BV” ishte: 478.000 m2 x 448 lekë/m2 (tokë arë) = 214.502.400 lekë.
Si një projekt qeveritar, kostot për shpronësimin e tokës për llogari të koncensionarit, i takonin kabinetit qeveritar.
Në 26 Dhjetor të vitit 2018, Qeveria Shqiptare miraton Vendimin për shpronësimin e kësaj sipërfaqe toke, të kërkuar nga koncensionari i Klodian Zotos.
Por, në këtë vendim, vlera e shpronësimit është përllogaritur në 284 995 840 lekë, rreth 70 milionë lekë (ose 700 mijë dollarë) më tepër se sa shifra e parashikuar në Studimin e Fizibilitetit.
Në Vendimin e Këshillit të Ministrave nuk jepet asnjë argument për rritjen e konsiderueshme të çmimit të shpronësimit, ndërkohë që relacioni që shoqëron VKM-në nuk është bërë publik.
/BoldNews.al