12 organizatat të Shoqërisë Civile kundër KÇK

0
148

Miratimi me akt normativ me fuqinë e ligjit të paketës ligjore antishpifje ka cënuar parime të rëndësishme kushtetuese

Sipas medias Këshilli i Ministrave sot në datën 31 Janar 2020 miratoi projektligjin Anti-KÇK, me akt normativ me fuqinë e ligjit. Kjo paketë, siç përmendet në media, do të sjellë ndryshime në ligjin Antimafia, ligjin e Policisë së Shtetit, ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara si dhe Ligjin për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, që do të miratohen nga Kuvendi.

Më herët, në datën 6 Dhjetor 2019, rreth 21 organizata të shoqërisë civile reaguan me një deklaratë publike, që i referohej nismës për miratimin e një akti normativ me fuqinë e ligjit lidhur me parandalimin dhe marrjen e masave kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve të rënda të rënda, të prezantuara si paketa speciale Anti- KÇK.

Duke e konsideruar si paketë të një rëndësie të veçantë që mund të cenojë respektimin e të drejtave të shtetasve, organizatat e mësipërme bënin thirrje që diskutimi i kësaj pakete do duhej të ishte gjithëpërfshirjeje dhe në respektim të Kushtetuës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Nga njoftimi për shtyp i realizuar ditën e sotme me median nga Ministria e Drejtësisë, krijohet bindja se thirrja jonë për gjithëpërfshirje nuk do të realizohet. Nëpërmjet njoftimit në media informohemi gjithashtu se nëpërmjet kësaj pakete ligjore do të ndërhyet dhe do të ndryshohen dhe ligje të rëndësishme, përfshirë këtu dhe ligjin e ri të reformës në drejtësi nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, të ndryshuar.

Organizatat vendase të shoqërisë civile janë kufizuar deri më sot nga e drejta për tu njohur me përmbajtjen e kësaj pakete, çka cenon parimet e një qeverisje të hapur, transparente dhe llogaridhënëse. Duke mos patur mundësi të shprehemi për tekstin e ndërhyrjeve të propozuara, referuar deklaratës të Ministres së Drejtësisë tërheqim vëmendjen për disa shkelje të cilat krijojnë probleme, nga pikëpamja formale dhe substanciale, lidhur me ligjshmërinë por edhe kushtetutshmërinë e saj.

1. Sipas nenit 28 të Rregullores së Kuvendit nuk lejohet procedura e përshpejtuar e projektligjeve të parashikuara nga neni 81 pika 2 e Kushtetutës, pra ligje që kërkojnë miratimin me shumicë të cilësuar prej të pakten 3/5 e deputetëve. Shtesat ose ndryshimet ligjore që mendohen t’u bëhen disa prej ligjeve të përmendura më lart me aktin normativ, janë miratuar me votim të cilësuar dmth në bazë të nenit 81 pika 2 e Kushtetutës.

2. Me vendimin nr. 11 datë 02.04.2008, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar neni 315 i Kodit Penal të titulluar “Dhënia e një vendimi të padrejtë”. Në këtë vendim midis të tjerave thuhet “se gjykata çmon se mundësia e fillimit të ndjekje penale ndaj një gjyqtari për dhënien e një vendimi përfundimtar ndërkohë që vendimi mund të shqyrtohet nga një gjykatë më e lartë, krijon një presion të papërshtatshëm ndaj gjyqtarit, çka do të dëmtonte dhënien e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut” dhe më poshtë “vendimet e një gjyqtari kundërshtohen vetëm në një gjykatë më të lartë dhe asnjë organ tjetër nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e vendimit gjyqësor derisa ato nuk janë ndryshuar ose prishur sipas ligjit”.

3. Sipas nenit 147/d të Kushtetutës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës ndër të tjerash për verifikimin e ankesave, dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve, prokurorëve. Kjo normë kushtetuese konkretizohet edhe në ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” të ndryshuar. Gjykata Kushtetuese ka elaboruar në vendimet e saj standartin se atributet që Kushtetuta i ka caktuar një organi, nuk mund ti jepen një organi tjetër (shih vendimin nr. 78 datë 12.12.2017 i Gjykatës Kushtetuese)

Sipas neneve 147/a dhe 149/a të Kushtetutës, përkatësisht Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Larte i Prokurorisë nuk kanë kompetencë të fillojnë hetimin gjyqëesor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

1. Komiteti Shqiptar i Helsinkit

2. Instituti për Studime Politike (ISP)

3. Birn Albania

4. Instituti Shqiptar i Shkencës

5. Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI)

6. Instituti i Kërkimeve Urbane

7. Fondacioni Shqiptar për të drejtat e personave me Aftësi të Kufizuar

8. Qendra Altri

9. Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes

10. Qendra për Nisma Ligjore Qytetare

11. Civil Rights Defenders

12. INAC

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here