Rai3 pas një replike publike me Ramën, të cilit i kërkojnë shifrat zyrtare të kultivimit të kanabisit, media italiane ka komentuar edhe gjendjen e medias në vendin tonë.
Në kronikën e transmetuar në këtë televizion, vihet në pah fakti se në Shqipëri, informacioni përcillet përmes televizionit personal të kryeministrit të quajtur “Edi Rama TV”.
Pjesë nga kronika e Rai3:
Për Shqipërinë që ka shumë rrugë për të bërë edhe në planin e lirisë së medias.
Media është përqendruar në duart e pak pronarëve. Katër familje kontrollojnë 90 për qind të tregut dhe kanë raporte direkte me politikën.
‘Propaganda që prodhon politikë, politika që prodhon pushtet, pushteti janë fondet publike, që u jepen kompanive të ndërtimit që financojnë median dhe media që prodhon propagandë dhe kështu vazhdon rrethi i mbyllur“, thotë Dorian Matlia, drejtor i Respublica.
“Shqipëria kalon vetëm nëpërmjet një kanali televiziv që quhet Edi Rama Tv, që është emri i kryeministrit“, raporton më tej gazetari në kronikën e Rai 3
‘Gazetarët nuk kanë asnjë mundësi për të marrë informacion nga qeveria. Jemi në një rast ndoshta unik në botë, në Europë me siguri”, shprehet gazetari Armand Shkullaku.
Pikërisht në këto ditë parlamenti shqiptar po përpiqet të votojë një ligj të ashtëquajtuar antishpifje, por që në realitet do të shërbente për të vendosur internetin nën kontrollin e qeverisë.
‘Futja në Bashkimin Evropian, ku Shqipëria pretendon, nuk mund të vijë vetëm nëpërmjet marrëveshjeve me bazë ekonomike, por duhet rishikuar edhe respekti i të drejtave elementare duke filluar nga liria e medias, që u jep të drejtë qytetarëve të informohen”, thotë Sekretari i FNSI, Raffaele Lorusso