Eksponenti i krimit të organizuar, ka edhe polici private të licensuar…

0
128

Lulzim Berisha, i njohur edhe si kreu i bandës së Durrësit, që pas lirimit në vitin 2016 e hodhi pas të shkuarën e tij kriminale, duke iu futur me pasion botës së biznesit.

Lul Berisha, i liruar më dhjetor 2016, pas një dënimi prej 25 vitesh burg, ai u lirua me kusht nga Gjykata e Apelit në Durrës, që i fali jo pak por 6 vite e 22 ditë burg, e sot ai është subjekti i paketës Anti-KÇK, i cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë, Berisha duhet të japë sqarime për pasurinë e tij.

Këto sqarime duhet të bindin SPAK, e më pas, do vendoset nëse ai do të ketë më mundësi ta ruajë pasurinë e tij.

Por cila është pasuria e Lulzim Berisha?
Që pasi u lirua nga burgu, Lulzim Berisha iu fut biznesit dhe sipërmarrjeve të mëdha, si tregu i naftës, apo edhe një bar kafe në qytetin e Durrës. Ndërkohë që burime të pavarura, i sugjeruan Dosja.al, se Lulzim Berisha qëndron pas ngritjes së një policie private në Durrës, “One Security”.

Por le të ndalemi tek bizneset e deklaruara…
Aktualisht, Lulzim Berisha është pronari i parë kompanisë “Rajan 2007”, që ka në fokus tregtimin e naftës dhe furnizimin me karburant të anijeve në portin e Durrësit, një biznes i artë ky në këtë qytet.

Më 19 shkurt 2019, kompania është regjistruar në QKB, me tri aksionerë, ku kryesori është Lul Berisha, që zotëron 40%të aksioneve.

Dy aksionerët e tjerë, janë motra e Lulzim Berishës, Luljeta, e cila është edhe administratore, dhe Enkelejda Shoshi, një tjetër njohje e besuar e Lul Berishës.

Policia Private që dyshohet se është pronë e Lul Berishës është shoqëria “One Security, ku themelues janë Luljeta Berisha, motra e Lulzim Berishës dhe Armand Zela, një biznesmen nga Kavaja, që administron kompanitë për tregtimin e paisjeve elektronike “AZ-TECH” dhe “BÇ”.

Ajo që është e habitshme është fakti se kur u themelua, kjo kompani është krijuar me një capital prej 350 mijë lekë të vjetra, e një muaj më pas, të dy ortakët e shesin “One Security” tek Aurela Zela, një e afërme e Armand Zelës, e cila nuk ka as eksperiencë në fushën e sigurisë dhe policimit privat. Ajo e bleu “One Security”, për 35 mijë euro, por paratë, sërish si për çudi nuk janë hedhur tek dyshja Berisha-Zela.

Ndërkohë që Berisha posedon në emrin e tij një bar kafe, që siç shihet në ekstraktin e QKR është aksioner i vetëm.

Por kush është Lulzim Berisha, emri që frikësoi Durrësin në vitet e vështira të 1997?
Lulzim Berisha kreu disa vite burg për akuzat e grupit të strukturuar kriminal ndërsa u lirua më 2016. Më janar të 2015, Gjykata e Lartë rrëzoi tre dënime përjetë të anëtarëve të bandës së Durrësit dhe la në fuqi vetëm burgun përjetë të Indrit Dokles.

Në 6 dhjetor të 2016, plot 10 vite pas arrestimit të tij në Maqedoni ish-kreu i Bandës së Durrësit fitoi lirinë. Berisha u lirua nga Gjykata e Durrësit në një proces larg vëmendjes së mediave dhe ndaj tij është vendosur liri me kusht për 5 vitet e mbetura të dënimit.

Berisha prej kohësh qëndronte pranë spitalit të burgut në Durrës ku ishte nën kujdesin e mjekëve pas disa problemeve shëndetësore, ndërsa mësohet se vuan nga një sëmundje e rëndë

Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Historiku i krimeve të Bandës së Durrësit

17 tetor 1998
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998.

29 tetor 1998
Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, mbi bandën e Durrësit rëndon akuza e dy vrasjeve të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor

1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri.

22 gusht 1999
Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998. Ai që mbeti i plagosur një vit më parë, Marsel Sotiri, më u ekzekutua në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.

9 korrik 2000
Prokuroria akuzon bandën për një tjetër vrasje. Këtë herë për atentatin ndaj Dritan Dishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit.

14 janar 2002
Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha-Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas është ekzekutuar shtetasi Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit

2003
Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre.

26 shkurt 2005
Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Një nga ish-bashkëpuntorët më të ngushtë të Lul Berishës, Saliu u vra 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.

13 tetor 2005
9 muaj më pas ka ardhur edhe kundërpërgjigja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle, i cili akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit.

30 tetor 2005
Hakmarrja e grupit të kryesuar tanimë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e Ilir Kolgjinit, mik i Lul Berishës.

Vrasja ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.

6 prill 2006
Data e mësipërme do të shënontë goditjen e një prej bandave më të rrezikshme në vend në Tetovë. Lulzim Berisha, njeriu që e drejtoi për 10 vjet me radhë “bandën e Durrësit” mes vrasjesh e trafiqesh droge dhe armësh do të arrestohej në Maqedoni pas një urdhëri ndërkombëtar arresti të lëshuar nga Shqipëria.

16 anëtarët e ish-Bandës famëkeqe në Durrës u dënuan në total me 245 vite burgim nga gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, vendim i lënë në fuqi dhe nga Apeli ndërsa pas rekursit në Gjykatën e Lartë i vetmi që s’ka mundur t’i shpëtojë burgimit për jetë ishte Indrit Dokle.

Njëri prej anëtarëve të bandës, Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia, duke treguar një pjesë të mirë të shkaqeve dhe autorëve të ngjarjeve kriminale.

RD

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here