Katër persona të kthyer nga Kina pak ditë më parë në Shqipëri përmes Aeroportit “Nënë Tereza” dyshonin se mund të ishin prekur nga koronavirusi dhe kanë kërkuar ndihmën e mjekëve në Tiranë.
Testet e kryera në Institutin e Shëndetit Publik kanë dalë negative ndaj virusit kinez. Dy persona kanë rezultuar me grip të thjeshtë ndërsa dy të tjerët të shëndetshëm, raporton “abcnews.al”.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë deklaron se rreziku për përhapjen e koronavirusit në Shqipëri vazhdon të mbetet i ulët megjithëkëtë në vend po forcohen masat paraprake.
Në çdo pikë kufitare është ngritur dhoma e posaçme për monitorimin e rasteve të dyshuara ndërsa në Spitalin Infektiv në QSUT dhomat e izolimit janë pajisur me aparaturat respiratore të monitorimit dhe sistemin e gazrave mjekësor.
Trajnimet e strukturave shëndetësore sipas ministrisë po vijojnë ndërkohë që është menduar dhe organizmi i karantinës në rast nevoje.