Spektaklet për sekuestro pronash që kemi parë ditët e fundit nga skuadra OFL, të cilët kryeministri Rama më së shumti po i shfaq për të dhënë idenë se Anti-KÇK-ja ishte e domosdoshme, janë qartazi një strategji për të ndërtuar një alibi për dështimin e deritanishëm të qeverisjes së tij ndaj krimit. Por, i gjithë ky film, ku aktori kryesor është vetë Rama, ka disa probleme të rëndësishme që vlejnë të debatohen, sidomos lidhur me kushtetueshmërinë e veprimeve që mund të kthehen më pas në një rëndesë të re mbi xhepat e shqiptarëve që do të duhet të paguajnë ndoshta edhe fitimin e munguar për mjaft nga të fortët që sot po lejojnë veten të jenë pjesë e filmit që ka producent kryeministrin.
Së pari, i kaluar si akt normativ në qeveri, sikur të ketë ndodhur diçka emergjente, Rama veçse vërtetoi se nevoja e tij për spektakël është urgjent, për shkak se i kanë rënë të gjitha narrativat e tij për të gënjyer shqiptarët me dështimet në ekonomie dhe në betejën kundër krimit.
Së dyti, z. Rama e bën këtë spektakël kur është drejt fundit të mandatit të dytë, duke rënë padashur në kurthin e lojërave që bën vetë, pasi në vitin e shtatë në pushtet ai ka si kundërshtar në këtë betejë vetëm qeverisjen e tij, vetëm ata që ka emëruar vetë, pasi opozita nuk ka asnjë pushtet më në këtë vend. Ndoshta Rama ka besuar se, edhe pas shtatë vitesh shqiptarët do e besojnë në një alternativë të arnuar ku sulmohet opozita, ku krimi shikohet sikur është jashtë qeverisë. Por, të akuzuarit për krime që dolën nga parlamenti apo nga bashkitë ishin zgjedhje e tij dhe e stafit të tij.
Eshtë e vërtetë, që një qeveri ka të drejtë dhe mund të realizojë aksione edhe në fushën e rivendosjes së rendit. Por kjo do të kishte kuptim dhe moral nëse është në fillimet e saj të pushtetit, siç ndodhi edhe me qeverisjen “Berisha” që vuri në pranga, menjëherë pas ardhjes në pushtet, në vitin 2005, ata që njiheshin si “më të fortët”. Madje, për ironi, ata që u arrestuan në atë kohë po gëzojnë sot lirinë “si të punësuar të dakove” të cilët kanë firmosur apo po vijojnë të firmosin dokumente ku marrin përsipër “punësimin e të rehabilituarve”.
Ndaj, e gjithë kjo betejë me Anti-KÇK, kur në oborrin e partisë së tij Rama ka ish-deputetë, ish-kryebashkiakë dhe ish-të dënuar për krime që pozojnë lirisht me të, i ngjan më shumë restaurimit të një bordelloje, duke shkruar në tabelë emrin “Qendër kulturore”, por pa i larguar punonjëset e bordellos nga vendet e punës. Natyrisht, z. Rama nuk ka treguar ndonjë shqetësim se qytetarëve shqiptarë i shkelen të drejtat qytetarëve të vet.
Madje, si për ironi, përfaqësuesi i kryeministrit në Ministrinë e Brendshme, Plarent Ndreca, deklaroi në emisionin Opinion të enjten, teksa fliste për sekuestrot e pronave pa vendime gjykatash, se “të drejtat e njeriut janë relative”.
Fiks modeli që Rama ka për zbatimin e ligjit- pra ligji ka vlerë vetëm atëherë kur atij i duhet, e jo kur qytetarët kanë të drejtë. Për të mos lejuar këtë prostituim me të drejtat e qytetarëve, është koha që populli të mos e lejojë që bordelloja politike e Ramës të vijojë të drejtojë këtë vend, vetëm e vetëm se ai i ndryshon tabelën hyrëse.
Sepse Rama, si të gjithë marksistët dhe anarkistët, ka vetëm një qëllim- të mbajë me çdo kusht e me çdo çmim pushtetin, pavarësisht se qytetarëve po iu bëhet ferr vendbanimi i tyre. Të gjitha leksionet e tjera të Ramës, me justifikimin se këto aksione i bën për të mirë të qytetarëve, janë vetëm një fyerje e inteligjencës së kujtdo që e do këtë vend dhe që dëshiron të jetojë ende këtu.