Të kapur apo të paaftë? Çfarë fshihet pas 3 fiaskove të SPAK

0
168

Që kur kreu i SPAK u shfaq si dekor i kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Operacionit Forca e Ligjit, e cila e kthen strukturën e tij në një zgjatim të Ministrisë së Brendshme të Sandër Lleshajt, pati zëra nga opozita se SPAK po vdes pa lindur mirë. Së bashku me Ardi Veliun, të dy dukeshin si vartës të qeverisë.

Dyshimet, që kishin nisur mbi këtë strukturë të drejtësisë së re, u bënë akoma më serioze pas shfryrjes së tre dosjeve të bujshme:

E para, kjo po konfirmonte dyshimet e hedhura se edhe SPAK po kapej, pasi më herët institucionet të tjera të drejtësisë së re u mbushën me njerëz pranë mazhorancës qeverisëse. Jo vetëm kaq, dosjet e rrënuara nga SPAK kishin në qendër kriminelë të akuzuar për lidhje të ngushta me Edi Ramën dhe qeverinë e tij.

E dyta, dukej po konfirmohej edhe frika e shprehur nga ndërkombëtarët, por edhe nga gazetarë dhe ekspertë të huaj, se organet e reja të drejtësisë po krijohen me njerëz të paaftë.

E treta, fiaskoja e SPAK me tre dosje të bujshme të emrave të njohur të krimit në vend, po shtonte dyshimet për ndikim të krimit. Më herët, Qytetari Dixhital kishte denoncuar edhe një rast kur elementët kriminalë propozuan një kandidat për SPAK.

Por cilat janë këto tri dosje, të cilat u vendos që të shkatërroheshin që në nisje të punës prej SPAK?

Fillimisht ishte një dosje në shqyrtim prej dhjetë vitesh, për tre gjyqtarët që vendosën të shpëtojnë Dritan Dajtin nga burgimi i përjetshëm për vrasjen e katër policëve. Në fillim të janarit, prokurori Klodian Braho kërkoi mbylljen e kësaj dosje. Ai dhe SPAK nuk preferuan të komentojnë asgjë për median. Vendimi e tronditi thellë opinionin publik në vend, jo vetëm për shkak të akuzave për lidhjen e Dajtit me Ramën, por sepse qeveria e këtij të fundit sapo e kishte nxjerrë të dënuarin ‘shëtitje’ në Bllok në një rast skandaloz unik.

Pastaj ishte radha për një dosje që shkaktoi bujë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Përgjimet e saj u publikuan edhe në gazetën më të madhe europiane, në gjermanen BILD. Shumë juristë u habitën fillimisht kur panë se si dosja e bujshme ‘184’ u degdis nga struktura e specializuar antikorrupsion.

Krimi elektoral është në kompetencat e SPAK, por kjo nuk i ndaloi prokurorët që të vazhdojnë pingpongun me këtë ‘patate të nxehtë’. Kur ishte menduar se SPAK do u jepte drejtim këtyre çështjeve, juristët mendojnë se ata po e humbasin funksionin si organ hetimor. Dosja ‘184’ ishte menduar si ajo më tipikja për SPAK. Madje deri tani na është thënë se SPAK është ngritur për dosje të tilla.

E fundit ishte dosja e bandës së Bajrëve. Grupi i Bajrëve, i goditur me aq bujë në Shkodër e Tiranë falë ndihmës së partnerërve ndërkombëtarë, që supozohej të ishte një ndër dosjet e para të SPAK, tashmë do të hetohet nga Prokuroria e Shkodrës. Madje, ai që konsiderohej si personi më “i rrezikshëm”, Safet Bajri, akuzohet tashmë vetëm për përcaktim të rezultatit sportiv.

Në sallën e Gjykatës së Posaçme, dy prokurorë të SPAK deklaruan se nuk e provuan dot ekzistencën e grupit të strukturuar kriminal të ashtuquajtur “Bajri” dhe se çështja duhet të shkojë për kompetencë pranë Prokurorisë së Shkodrës. Një kërkesë e tillë u pranua edhe nga Gjykata e Posaçme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here