Në Kinë numri i persona që kanë gjetur vdekjen si pasojë e koronavirusit prej momentit të shpërthimit deri më sot ka arritur në 811, duke e kaluar numrin e vdekjeve në nivel botëror të shkaktuar nga virusi SARS.
Shumë prej qyteteve janë shdërruar në qytete fantazmë gjatë dy javëve të fundit pas urdhrit të autoriteteve për t’i izoluar ato, bllokuar fluturimet dhe mbyllur fabrika e shkolla. Edhe të hënën një numër i madh vendesh pune e shkollash, do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura. Në total numri i personave të prekur nga virusi në Kinë njoftohet se është 37,198 persona. Virusi është përhapur në të paktën 27 vende e rajone të ndryshme të botës duke infektuar më shumë se 330 njerëz.
Ndërkohë autoritetet kineze njoftuan se po rritet numri i pacientëve me koronavirus që po shërohen. Sipas Komisionit Kombëtar kinez të Shëndetit, numri i përgjithshëm i personave që janë shëruar prej shpërthimit të infeksionit viral është 2649 persona.
Dy ditët e fundit kanë shënuar një rritje të numrit të pacientëve me koronavirus të cilët janë shëruar dhe kanë lënë spitalet në mbarë Kinën.
Në provincën Anhui në lindje të Kinës, 12 persona u liruan nga spitali ditën e shtunë në disa qytete, duke e çuar në 59 numrin e përgjithshëm të pacientëve të shëruar.
“Një numër i madh i pacientëve janë larguar nga spitali këto dy ditë, mesatarisht dy ose tre në ditë. Kjo rrit besimin tek mjekët. Shpresojmë që e gjithë shoqëria të mbështesë punën tonë për parandalimin dhe kontrollin. Kemi besim se do ta fitojmë betejën kundër epidemisë”, thotë Yang Dexiang, mjek i rrugëve të frymëmarrjes në spitalin e qytetit Tongling, shkruan VOA.
Një pacient i cili kishte ardhur në spital në gjëndje të rëndë në provincën Heilongjiang në verilindje të Kinës, la spitalin pasi testet e fundit rezultuan negative.
Në qytetin Zunyi të provincës Guizhou, një pacient u largua nga spitali të shtunën pasdite pas trajtimit 13-ditor.
Lajme inkurajuese vijnë gjithashtu edhe nga provinca ishull Hainan, e cila raportoi për tre raste pacientësh të shëruar të shtunën duke e çuar në 14 numrin e përgjithshëm të tyre.
Në qytetin lindor Liaocheng, të provincës Shandong, pacienti i parë u lirua nga spitali të premten.
Rajoni autonom Ningxia Hui, raportoi të shtunën 10 raste të tjera pacientësh që e kanë marër veten, duke e çuar kështu në 13 numrin e përgjithshëm të tyre.
Sipas shifrave të Komisionit Kombëtar të Shëndetit, numri i përgjithshëm i pacientëve të shëruar në të gjithë Kinën deri ditën e shtunë, rezulton të jetë 2,649 persona.