Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen Liria në Shkodër, ku si pasojë e zjarrit që ka rënë në çadrat e komunitetit rom, ka humbur jetën një 13-vjeçare.
Burime bëjnë me dije se ka humbur jetën Gj.D , 13 vjeçe.
Mendohet se zjarri në barakën ku jetonte e mitura së bashku me familjen e saj, ka rënë si pasojë e pakujdesisë, ndërkohë që ka qenë i pamundur shpëtimi i saj në kohë.
Mësohet se e mitura kishte pasur problem mendore, dhe i ishte refuzuar mbajtja në jetimore.
Banorët shprehen se familja e kishte të pamundur që të kujdesej për të, ndërsa si pasojë e zjarrit janë djegur dhe tre baraka të tjera, duke lënë pa çati mbi kokë shumë anëtarë të familjeve.
Gazetarja e Fax News Emi Kalaja shprehet se komuniteti rom në Shkodër prej vitesh është lënë në harresë, ndërsa këto baraka i kanë ngritur prej vitesh, sa kohë që nuk iu është dhënë një alternativë e dytë.
“I vëllai ishte përjashta tu pi kafe, ajo ka qenë në gjumë, ne kena pasur do probleme me punën e fëmijës, e kemi çuar në shtëpinë e fëmijës, dhe nuk na janë përgjigjur. Ka pasur probleme me njërin prej veshëve, dhe për këtë nuk e kanë marrë përsipër”, tregon një prej të afërmve të viktimës.
Njoftimi i policisë:
Më datë 11.02.2020, rreth orës 07:10, në lagjen “Salo Halili”, Shkodër, ka rënë zjarr në barakat e komunitetit rom dhe si pasojë ka gjetur vdekjen shtetasja e mitur S. D., 13 vjeçe.
Shërbimet e zjarrfikëses dhe shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.
Në vendngjarje po kryhen veprimet nga grupi hetimor, për sqarimin e rrethanave të rënies së zjarrit.