Nga Piers Morgan, DAILY MAIL
Iu deshën vetëm dhjetë sekonda fituesit të parë në natën e çmimeve Oscar, që të shpërthente me deklarata të zemëruara politike kundër Presidentit Trump.
Sinqerisht, u befasova vetëm pse u vonuan kaq shumë.
Hollivudi e përçmon Trump me një pasion vullkanik, megjithëse shumica e yjeve të tij shfaqin të njëjtat tipare; të pamëshirshëm, sharlatanë, narcistë, hipokritë, egoistë, venalë- që pretendojnë se i urrejnë te ai.
Por hipokriza e paturpshme dhe kronike si dhe mungesa e vetëdijes duket se shkojnë paralelisht me të qenurit yll filmash këto kohë.
Brad Pitt, që e kishte kaluar sezonin e çmimeve deri më tani me fjalime të lehta dhe argëtuese, vendosi se ishte koha për më shumë seriozitet.
“Më thanë se kam në dispozicion vetëm 45 sekonda këtu,” tha ai, teksa merrte çmimin e Aktorit më të Mirë Mbështetës. “Pra 45 sekonda më shumë se ato që i dha Senati këtë javë John Bolton”.
Ndërsa audienca liberale brohoriste, ai shtoi: “Po mendoja se ndoshta Quentin Tarantino po bën një film në lidhje me këtë dhe në fund të rriturit bëjnë gjënë e duhur”.
Më fal, çfarë?!
Filmat e Tarantinos përfundojnë gjithmonë me të rriturit që bëjnë plotësisht gjëra të gabuara dhe vrasin njëri-tjetrin në gjakderdhje gjakatare të tërbuar- duke përfshirë edhe filmin për të cilin Pitt mori çmimin, ‘Once Upon A Time in Hollywood’.
Brad vazhdoi duke thënë sërish për çështjen e shkarkimit se këtë javë është zhgënjyer shumë.
Gjithmonë më ka pëlqyer Brad Pitt. Është djalë i lezetshëm, i lumtur dhe që pëlqehet nga një numër i madh njerëzish.
Atëherë pse papritmas armiqësohet me gjysmën e tyre me një ndërhyrje politike kaq të kotë dhe partizane?
Për të huazuar fjalët e tij, ishte një ditë e trishtuar dhe e kam seriozisht.
Fjalimi i tij i mërzitshëm për Trump i dha tonin një prej Oscar-ëve më të keqinj në histori, një festë e zymtë prej tre orësh e ca, e zhytur në kaos edhe për shkak se nuk kishte prezantues për të dytin vit radhazi.
Një prezantues i mirë e bën bashkë shfaqjen, e mban atë të ngjitur dhe siguron që ka një hark të fortë narrativ, duke reaguar ndaj gjërave që ndodhin dhe ne i shohim në shtëpi.
Kur nuk ke një prezantues, ndjehesh pak çuditshëm sidomos kur kjo vrimë mbushet me performanca të shumta muzikore.
Momenti më i çuditshëm erdhi kur Eminem doli papritur në skenë dhe këndoi një këngë, për të cilën fitoi një Oscar para 18 vitesh, por që nuk doli ta merrte.
Surpriza ime u kthye në befasi.
Mendoja se Akademia kishte tolerancë zero ndaj atyre që përdorin shprehje homofobike.
Tek e fundit, a nuk e përjashtuan komedianin Kevin Hart nga prezantimi vetëm për një ‘shaka’ homoseksuale që kishte bërë një dekadë më parë?
Dhe tani ja ku është Eminemi, që ka kaluar 20 vitet e fundit duke përdorur në çdo këngë shprehjen e tij ‘ped…’.
Natyrisht që ai u shpërblye për gjithë homofobinë e tij me një duartrokitje në këmbë nga shumica e atyre që e kanë shpallur komunitetin LGBTQ si aleat.
Edhe kjo nuk ishte asgjë përpara fjalimit më të keq të mbrëmjes- nga Joaquin Phoenix, një aktor i shkëlqyer, por një fjalimpranues i tmerrshëm.
“STOP”, u tha ai të pranishmëve që po duartrokisnin teksa po ngjitej në skenë për të marrë cmimin e Aktorit më të Mirë. “Kam menduar shumë për disa prej problemeve më të mëdha që po hasim së bashku”.
Këtu zemra ime u thye.
Çështja më shqetësuese, sipas tij, janë njerëzit që konsumojnë qumësht lope.
Phoenix, një aktivist vegan, shpërtheu thuajse në lot: “Ne ndjejmë se kemi të drejtë të bëjmë çiftëzim artificial të lopëve dhe kur ato lindin, u marrim beben, edhe pse britmat e tyre janë të tmerrshme. Më pas qumështin, që ajo e ka për viçin e saj, e vendosim në kafenë dhe drithërat tona”.
Shpërtheva në lot kur tha këtë.
Jo për shkak se unë jam një bastard që nuk shqetësohet për gjendjen e viçave.
Por në mesin e të gjithë gjërave për të cilat mund të jepte leksion një aktor, dhuna ndaj lopëve për qumështin e tyre është ndoshta më absurdja.
Joaquin dukej po ashtu shumë kontradiktor për sakrificat që bën për të mirën tonë të madhe. Ai e pranon se është hipokrit i tmerrshëm mjedisor, kur merr avionët që të shkatërrojnë në karburant për të shkuar në tubime për ndryshime klimatike.
Për të lehtësuar fajin, ai tha se ka veshur të njëjtin kostum gjatë gjithë sezonit të çmimeve për të minimizuar mbetjet dhe për të ndihmuar planetin. A e kupton ai sa absurd duket kur shumica e atyre që shkojnë për të parë filmat e tij mezi e përballojnë një kostum gjithë jetën e tyre?
E kemi parë këtë hipokrizi edhe më parë kur këta virtuozë shkojnë nëpër darka me meny bimore dhe më pas largohen me avionë privatë dhe limuzina drejt hoteleve të tyre.
Një hipokrizi e ngjashme u thellua kur Julia Reichert, producentja e dokumentarit “Fabrika Amerikane”, e mbështetur nga Obama, mori po ashtu një Oscar. Ajo bëri thirrjen marksiste që “të gjithë punëtorët e botës të bashkohen kundër pabarazisë në të ardhura”.
Edhe ajo u duartrokit nga një turmë e privilegjuar, e veshur me fustane 100 mijë dollarëshe dhe bizhuteri po kaq të shtrenjta.
Hsitoria ‘thuaj një gjë dhe bëj diçka tjetër’ vazhdoi edhe me Natalie Portman, që veshi një pelerinë në emër të të gjitha femrave regjisore që nuk janë nominuar për Oscar.
Një gjest i bukur, por siç tha dikush, a ka punësuar ajo ndonjë drejtoreshë femër në kompaninë e saj?
“Të gjitha femrat janë super-heroina,” tha Sigourney Weaver e indinjuar.
Jo nuk është kështu.
Me gjithë respektin ndaj gjinisë së kundërt, disa gra janë të tmerrshme.
Ashtu sikundër disa burra- dhe e kuptoj që kjo do i shokojë feministet radikale- janë njerëz të mirë.
Teksa ankoheshin për diversitetin, mund të shihje se në çdo listë praktikisht kishte vetëm kandidatë të bardhë.
Ishte një natë dëshpëruese, plot me dinosaurë të vjetër, që nuk duan të kujdesen as për diversitetin, as nëse janë seksistë apo racistë.
Për fat të keq, kjo mendoj se është arsyeja se përse ‘Paraziti’ fitoi çmimin e Filmit më të Mirë.
Akademia mund të tregojë me gisht këtë film dhe të thotë: Ja ku është diversiteti.
Por të paktën atë natë, regjisori karizmatik i këtij filmi hodhi pak dritë realiteti. “Jam gati që të bëhem tapë gjithë natën’, tha ai.
Në fund të fundit, pas Oscar-ëve më të këqinj në histori, edhe unë u ndjeva si ai.