Ministri jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, në një konferencë shtypi në Tiranë, me ministrin në detyrë Gent Cakaj tha se Shqipëria po punon mirë në dorëzimin e gylenistëve turq, por ka akoma shumë anëtarë të FETO-s (gylenistë) nëpër Shqipëri, të cilët duhen të kthehen në Turqi.
“Shqipëria ndodhet e rrezikuar nga anëtarët e FETO-s ndaj duhet të na i ktheni në Turqi”, shtoi ministri jashtëm i Turqisë.
Ekstradimi i gylenistit, mësuesit turk, në mesnatën e Vitit të Ri prej Shqipërisë drejt Turqisë shkaktoi reagim të madh në rrjetet sociale, por edhe në politikë.
VOA shkroi se “Policia shqiptare bëri të ditur se kreu procedurat për të larguar nga Shqipëria shtetasin turk Harun Çelik sapo përfundoi një dënim, që mori në Tiranë”. Por më pas doli se ai kishte kërkuar strehim politik në Shqipëri dhe autoritetet shqiptare nuk ia pranuan duke i grisur kërkesën, mënjëherë ua dorëzuan shërbimeve sekrete turke.
Rasti në fjalë krijoi zemërim dhe në BE.
Sot ministri turk kërkoi që të kthehen (pra për në burgje) të gjithë gylenistët që jetojnë e punojnë në Shqipëri.
Skandal ishte përgjigja e ministrit në detyrë Gent Cakaj, i cili fill pas kësaj kërkese të ministrit turk, në vend që të reagonte apo kundërshtonte apo të jepte një përgjigje diplomatike me takt, tha se do t’i zbatojmë gjithë kërkesat e ministrit turk.
Si të mos mjaftonte me kaq, ministri turk theksoi se do t’ia kërkonte në mënyrë të vendosur edhe kryeministrit Rama dorëzimin e gjithë rrjetit të turqve gylenistë që ndodhen në Shqipëri. Siç dihet gylenistët janë kundërshtarët e hapur politikë te Presidentit turk, Erdogan.