Prej orësh vijon të jetë në qendër të vëmendjes aksidenti në qendër të Tiranës, ku u tha se moderatorja Ilda Blejleri përplasi një të moshuar dhe më pas u largua nga vendngjraja.
Një gjë të tillë, moderatorja e ka mohuar kategorikisht. Ndërkohë lidhur me këtë ka reaguar më në fund policia.
Njoftimi i policisë se Tiranes:
Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me aksidentin e ndodhur në Bulevardin ‘Gjergj Fishta’, më datë 12.02.2020, ku ka mbetur e dëmtuar shtetasja me iniciale E. Gj, 63 vjeçe, ju informojmë se:
Në vijim të veprimeve hetimore, në orët e mbrëmjes grupi hetimor ka shoqëruar dhe intervistuar në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasen me iniciale I. B., 33 vjeçe.
Policia Rrugore e Tiranës, krahas veprimeve të tjera hetimore, me qëllim sqarimin e rrethanave, në funksion të dokumentimit të plotë të aksidentit rrugor, si pasojë e të cilit ka mbetur e dëmtuar këmbësorja E. GJ., ka sekuestruar ne cilësinë e provës materiale automjetin në pronësi të shtetases I. B., me qëllim këqyrjen dhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme autoteknike.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetases I. B, si e dyshuar për veprat penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’ dhe ‘Largimi nga vendi i aksidentit’.