Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, përmes një postimi në facebook, ka uruar për 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ku thotë se është martirja e përgjakur në Evropën e kohëve moderne. Për të 12 vjet në jetën e një vendi nuk janë shumë, por 12 vjet të shtetit të pavarur të Kosovës, sipas saj kanë shënuar arritje me përmasa epokale ”po të kemi parasysh se sa shumë luftë e përpjekje, sa shumë sakrifica dhe privacione janë dashur të përballohen”.
Mesazhi i plotë
Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova jonë e dashur, martirja e përgjakur në Evropën e kohëve moderne, ëndrra e realizuar e të rënëve për liri.
12-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më jep rastin fatlum që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të uroj me gjithë zemër motrat dhe vëllezërit shqiptarë, e bashkë me ta edhe të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës për ketë ngjarje të shënuar, e njëkohësisht të shpreh bindjen time të palëkundur se kjo ditë e veçantë, do të gjenerojë më shumë energji dhe besim, më shumë përkushtim dhe vendosmëri, për të punuar pa u lodhur asnjëherë për Kosovën europiane.
12 vjet në jetën e një vendi nuk janë shumë, por 12 vjet të shtetit të pavarur të Kosovës, kanë shënuar arritje me përmasa epokale po të kemi parasysh se sa shumë luftë e përpjekje, sa shumë sakrifica dhe privacione janë dashur të përballohen.
Ndaj, është e natyrshme që sot një nderim i veçantë të shkojë për të gjithë ata djem dhe vajza, për të gjithë ata luftëtarë të lirisë që i dhanë Kosovës, lirisë e pavarësisë së saj, jetën e tyre.
Gjithashtu dua të shpreh mirënjohjen e thellë ndaj Shteteve te Bashkuara te Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, që ishin krah Kosovës si në ditët e luftës së përgjakshme, ashtu edhe në procesin politik për shpalljen e pavarësisë së saj.
Kosova është amaneti i shenjtë i gjakut të të rënëve, por po aq është edhe ëndrra e bukur e djemve dhe vajzave të saj, ndaj përparimi dhe mirëqenia, prosperiteti dhe zhvillimi i pandalshëm, do ta bëjnë Kosovën edhe më të fortë, edhe më të begatë, edhe më europiane.
Edhe një herë:
Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova jonë e dashur!