Balliu: PD nuk tërhiqet nga asnjë pikë e kontratës me banorët e Unazës së Re…

0
135

Banorët e Unazës së Re dolën që në orët e para të mëngjesit në rrugë për t’u përballur me fadromat që ishin paralajmëruar se do të mbërrinin për të prishur disa biznese dhe banesa në kuadër të projektit për vijimin e segmentit rrugor. Ndërsa ata ishin lajmëruar që të enjten e kaluar për lirimin e pronave deri mëngjesin e sotëm, inspektorët dhe mjetet e rënda nuk kanë mbërritur, ndërsa banorët janë shprehur se siç kanë qëndruar gjithë natën e kaluar në monitorim, kanë për të vijuar ende ta bëjnë, duke argumentuar se ‘ata vijnë kur s’e presin’.

Në protestën e tyre ka marrë pjesë edhe ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu i cili ripërmendi zotimet se Partia Demokratike do t’i qëndrojë kontratës që ka lidhur me banorët duke theksuar se me të ardhur në pushtet, do të bëjë kompensimin 100% të pronave.

Ai paralajmëroi mazhorancën dhe institucionet që kanë nën kompetencë këtë projekt, se do të përballen me përgjegjësitë ligjore për dhunën dhe terrorin që kanë ushtruar mbi banorët, përveç akuzave të tjera për afera korruptive.

“Banorët dua t’i siguroj se PD nuk tërhiqet në asnjë pikë në atë kontratë të nënshkruar me banorët e Unazës së Re, të cilët janë përballur çdo ditë deri me dhunën e policisë dhe të shtetit, që kanë marrë zvarrë zonjat dhe burrat e tyre në mënyrën me të shëmtuar. Nuk do të ndalojmë së kërkuari drejtësi për banorët e Unazës. Ata që do të vijnë tek këta që kanë paguar taksa për 30 vite, dua t’ju them se do të mbahet përgjegjësi. Qytetarët të jenë të qetë, këto fjalë do t’i themi edhe kur të jemi në pushtet dhe do të japim ndaj tyre atë që meritojnë”, tha Balliu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here