Kryeministri Edi Rama foli me superlativa para të diplomuarve për mjekësi pasditen e shkuar, por fjala e tij u ndërpre nga protestuesit. Ata i kujtuan se diplomat që marrin janë vetë bileta për largim nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Shifrat e eksodit janë të frikshme
Mjekët shqiptarë nga Shqipëria e Kosova çdo ditë e më shumë po synojnë vendet e Evropës, ku vendin e parë e mban Gjermania me rreth 1 mijë mjekë nga Shqipëria e Kosova, ndërsa tre mijë të tjerë janë në vende të tjera të Evropës Perëndimore.
Qeveria e Shqipërisë thotë se largimi i mjekëve nga Shqipëria nuk është një fenomen vetëm shqiptar, ndërkohë që po përgatit një paketë të plotë mbështetëse për kthimin e mjekëve shqiptarë të diasporës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Të enjten në Tiranë, nën kujdesin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dhe Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë Ogerta Manastirliu, u mbajt aktiviteti “Takimi i mjekësisë në diasporë”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve të ndryshme dhe mjekëve shqiptarë të diasporës. Kryetarja e Federatës së Mjekëve shqiptarë në Evropë, Elona Haubrich, duke folur gjatë konferencës, u shpreh se aktualisht punojnë 1000 mjekë shqiptarë të Shqipërisë e Kosovës në Gjermani dhe 3000 të tjerë në Evropë.
“Nga të dhënat, janë 1 mijë mjekë nga Shqipëria e Kosova, sepse ne themi se jemi shqiptarë dhe nuk I ndajmë shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës, por janë zyrtarisht 1 mijë mjekë nga Shqipëria e Kosova në Gjermani, ndërsa 3 mijë mjekë të tjerë janë në vende të tjera të Evropës”, tha Haubrich. Ikja e mjekëve nis që me liberalizimin e vizave dhe tanimë, ata kanë ngritur Federatë të mjekëve shqiptarë në Evropë, e cila ka bërë një studim se cilat janë arsyet e ikjes së mjekëve tanë.