Italia kthehet në kërcënim për Evropën, Austria bllokon trenin, Rumania vendos karantinë

0
121

Pas shënimit të tri viktimave dhe më shumë se 150 persona të infektuar me coronavirus, Italia është kthyer në “shtetin e sëmurë” në Evropë.

Një tren i nisur nga Italia është ndaluar në kufi me Austrinë pasi dyshohej për dy persona të infektuar me virusin vdekjeprurës.

Edhe pse dy të dyshuarit kanë ndaluar në Verona, 300 udhëtarët e tjerë të trenit “Eurocity” janë mbajtur në kufi.

Ky është rasti i parë i ndërhyrjes në kufijtë e vendeve të BE-së pas epidemisë së coronavirusit në Itali.

Thirrje për kontroll në kufij ka bërë dhe politikania ekstremiste franceze, Marine Le Pen. Madje ajo akuzoi dhe qeverinë e vendit të saj se nuk po bllokon fluturimet me Kinën.

Franca është vendi i parë në Evropë që raportoi rastin e parë të vdekjes nga coronavirusi, ku bëhej fjalë për një turist kinez mbi 80 vjeç.

Ndërkohë, Rumania, vend i cili numëron shumë emigrantë në Itali, ka vendosur që të fusë në karantinë të gjithë ata persona që vijnë nga Lombardia dhe Veneto apo që kanë qenë në këto rajone në 14 ditët e fundit.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë së këtij vendi, ndërsa në aeroportin e Bukureshtit, pasagjerët merren në pyetje dhe kontrollohen nga një staf mjekësor./Euronews.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here