Në mbyllje të Javës së Modës në Milano, Giorgio Armani ka anuluar sfilatën e prezantimit të koleksionit vjeshtë-dimër 2020. Shkak për këtë vendim të papritur të stilistit është bërë përhapja e koronavirusit në Itali.
Ndërkohë që stilistë të shumtë kinezë, përfshirë Ricostru, Angel Chen dhe Hui nuk kanë qenë të pranishëm në Javën e Modës në Milano, Armani është stilisti i parë italian që merr këtë vendim për shkak të gjendjes në vend.
Marka ka njoftuar publikun se koleksioni do të prezantohet “me dyer të mbyllura” në një pasarelë të boshatisur dhe të gjithë mund ta ndjekin live stream në faqen zyrtare të Armanit ose në kanalet e mediave sociale të brandit.
“Ky vendim është marrë për sigurinë dhe mirëqenien e të ftuarve, duke mos u kërkuar të jenë të pranishëm në vende shumë të populluara”, -është shprehur një përfaqësues markës së famshme.
Vendimi erdhi pas lajmërimit të kryeministrit Giuseppe Conte, i cili shpalosi një plan për marrjen e masave në mospërhapjen e virusit.
Aktualisht në Itali numri i të prekurve nga koronavirusi ka arritur mbi 150, ndërsa 3 persona kanë humbur jetën. Më shumë se 50 000 njerëz në Lambardi dhe Veneto janë në karantinë, ndërsa shkollat, zyrat publike dhe shumë aktivitete janë mbyllur.