NGA: Dritan Kaba
Kjo foto flet shumë për këdo, i cili e shikon me vëmendje. Tre argatë të agjendës ruso-serbe për copëtimin e Kosovës qeshin dhe i ka shkuar buza vesh më vesh, ndërsa bosit të tyre as nuk i shkon në mend të lëvizë sa do pak ato.
Siç duket është i mërzitur me marionetat e tij se nuk po i ecën plani i Serbisë së Madhe.
Ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve është në agjendën e Rusisë për dy arsye:
E para, i intereson formimi i një Serbie të madhe në Ballkan dhe destabilizimi i tij.
E dyta, nëse do ketë ndryshim kufijsh në Ballkan, ky do ishte një aset i çmuar në duart e politikës dhe diplomacisë ruse për problemet e saja në Armeni me dy republikat pro ruse, që nuk njihen nga Perëndimi, ato të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut. Gjithashtu ky plan ogurzi i intereson edhe në lidhje me çështjen e ngelur pezull të rajonit të Donjetskut, në Ukrainë, i cili popullohet në shumicë absolute nga qytetarë me origjinë ruse. Në të treja rastet Rusisë i konvenon një shembull ndërkombëtar i rindarjes së territoreve në bazë të përkatësisë etnike.
Ndaj, ata janë duke qeshur nga halli, si fëmijë të zënë në faj dhe Lavrov është “i mërzitur” sepse bufonët e tij ende nuk kanë arritur të vënë në zbatim planin rus të rikonfigurimit të kufijve të Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve në bazë të përkatësisë etnike., ndaj nuk e meritojnë buzëqeshjen e tij. Një foto, që flet më shumë se mijëra fjalë. Po aq fjalë, sa emsisione kanë bërë në mbrojtje të kësaj teze ogurzezë, sa artikuj dhe opinione kanë shkruar, sa “beteja” kanë bërë, por duan të shfajsohen se sharra iu ka ngecur në gozhdë. Ndaj vazhdojnë të shkruajnë pa u lodhur kundër kujtdo, që është vendosur kundër tyre. Nuk lodhen të hedhin helmin e tyre dhe lumejtë e gënjështrave ndaj patriotëve, që janë pengesë e kësaj tradhëtie.
Ndaj, nëse dikush nuk ka gjetur ende një arsye për të dalë për të manifestuar në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtës së tij për lirinë e fjalës, për paprekshmërinë e votës, për shenjtërinë e pronës, për garantimin e lirisë së të bërit biznes, për moskapjen nga kjo bandë e Gjykatës Kushtetuese, që është arbitri i cili garanton të drejtat kushtetuese të çdo qytetari, këtu mund të gjejë një arsye të fortë për të protestuar ndaj shërbëtorëve antishqiptarë, që kanë uzurpuar pushtetin me votat e marra nga intimidimi i krimit të organizuar dhe blerë me paratë e drogës dhe të oligarkëve.
Çdo shqiptar, që e do vendin e tij, që do Kombin, që do familjen e ka vendin në Bulevard më 2 mars!
Të protestojmë për të drejtat e nëpërkëmbura, për liritë e cunguara, për veten tonë!
Ndërsa atyre, të cilët thonë: Nuk ka çfarë më duhet mua me këtë punën e Kushtetutës dhe me kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga kjo bandë, e cila ka uzurpuar çdo pushtet ose me arsyetimin se unë kam për të ngrënë dhe se kjo gjë nuk me përket mua, le të dalin të tjerë të protestojnë, dua t’i kujtoj vargjet e famshme të Pastorit Martin Niemoller të shkruara në kampin e përqëndrimit nazist të Dachau:, që tregon qartë si erdhën nazistët në pushtet.
Në fillim erdhën për të marrë komunistët; unë s’fola se nuk isha komunist.
Pastaj erdhën për sindikalistet; unë s’fola se nuk isha sindikalist
Pastaj erdhën për hebrenjtë; unë s’fola se nuk isha hebre.
Pastaj erdhën për mua; dhe s’kishte mbetur kush që të fliste për mua…
Ndaj mos hesht, reago, Ndryshe atë ditë kur të vijnë për ty do jesh vetëm…