Ka ngjarje, që nuk të shqiten nga kujtesa, sado kohë që të kalojë. E tillë është edhe ajo ditë dhjetori e vitit 1990, kur një grup studentësh e pedagogësh shkuam për të kërkuar pluralizmin politik.
Ëndrra e lirisë, demokracisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, tej përshkonte gjithë hapësirën, objektet, njerëzit, që me sytë gjithë shkëlqim prej lotëve, puthnin deri llamarinat e autobusit, i cili do të na çonte në Pallatin e Brigadave. Në ata sy kishte aq shumë dritë, shpresë…
Pas afro tridhjetë vitesh ëndrra është zvenitur, shpresa u kthye në zhgënjim, por gjithsesi, sado i madh të jetë zhgënjimi, gabimet e bëra ndër vite, nuk kanë të krahasuar me atë që po ndodh tani, ankthin e rikthimit në diktaturë.
Një grusht njerëzish, me një mentalitet feudal, sillen si pronarë të vendit, ndërsa e gjithë shpura putha-dorase rilindase e dumba-bistëve qamilistë, i bëjnë “hosanna”, kandidat Salep Sulltanit.
Vendi është i mbushur me drogë, krim, korrupsion qelizor, ku blihen e shiten jo vetëm votat, por edhe frymorët.
Një parlament i paligjshëm, që harton e voton ligje antikushtetuese, ku makutëria për pasuri i zhvesh nga çdo ndjesi njerëzore.
Mafia e ulur këmbëkryq, bën tregti me politikën dhe vendi është kthyer në një “lavatriçe” ndërkombëtare parash të pista.
Kjo qeverisje, që sukses të saj ka vetëmburrjen, prepotencën, po dëbon rininë nga vendi, po iu vret shpresën e po largon përherë e më tepër ëndrrën tonë të kahershme, Shqipërinë si gjithë Evropa.
Ëndrrën tonë evropiane mund ta çojmë përpara vetëm ne, pa shpresuar se do të jenë të huajt që do të na i zgjidhin problemet.
Prej dy vitesh tashmë qytetarë, intelektualë, artistë, protestojnë përditë në mbrojtje të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, shkeljes së Kushtetutës, vjedhjes së truallit publik.
Tërheqja e përkohshme e Qeverisë e Bashkisë tregon se sa të drejtë kishim ne kur ngulmonim në protestë të përditshme.
Protesta është qytetari dhe na ka mësuar të jemi përherë syçelët. Asnjë hap pas deri në fitoren përfundimtare, sepse shembja e Teatrit do të thotë shembje e demokracisë. Për këtë Presidenti është një nga mbrojtësit e Teatrit. Vetëm në mesjetë ose në diktaturat më të egra, shteti iu hiqte dritat, ujin qytetarëve të vet për t’i gjunjëzuar.
Për të vazhduar ëndrrën e nisur në nëntëdhjetën, për të ringjallur shpresën, për të mbrojtur Kushtetutën, për ta çliruar Shqipërinë nga oktapodi rilindas, që nuk ka asgjë socialiste, por ka uzurpuar padrejtësisht të gjitha institucionet, duhet të bëhemi të gjithë bashkë më 2 mars për të mbështetur Presidentin Ilir Meta, i cili atë ditë dhjetori të nëntëdhjetës ndodhej në autobus së bashku me ne.
Pavarësisht bindjeve të majta ose të djathta, pavarësisht ngjyrimeve politike të gjithsecilit, le ta kthejmë 2 marsin vetëm kuq e zi.
Faleminderit zoti President!
Do të jem përkrah teje!