I dashur gjysmë burrë! Ti vrave një krijesë të Zotit, vrave vajzën e dikujt, ëndrrën e dikujt…

0
118

Nga Silvana Begaj

Shhhh! Është turp! Jemi në Shqipëri! Rëndësi ka fasada!

E dashur nënë dhe i dashur baba! Ju më lindët, por nuk ditët të më mbronit! Më mësuat si të kem turp, por jo si të mbijetoj në këtë vend maskilist! Por, a nuk është më turp të vdesësh nga një gjysmë burri?

E dashur nënë! Kur më mësove si të jem një grua e mirë, pse nuk më the që kjo vlen vetëm për një burrë të mirë?

I dashur baba! Kur më mësove që nderi është i rëndësishëm, pse nuk më the që gjithsesi do dhunohesh e nëse je me fat do vdesësh nga duart e një të pandershmi?

I dashur gjysmë burrë! Nëse të jesh femër e ndershme do të thotë të durosh ty deri në vdekje, atëhere unë jam e pandershme! Nëse të jesh femër do të thotë të durosh gjysmë qëniet si ty, atëhere unë nuk jam femër!

Vrituni, dhunohuni, përdhunohuni, vetëm zërin mos e ngrini! Është turp!

I dashur gjysmë burrë që sot doje t’i provoje vetes që as atë gjysmë nuk e meriton, Bravo! E vrave? Vdiq? Nuk po merr më frymë? Ajo nuk është më mbi, por nëntokë. Ndihesh më i fortë? Më i fuqishëm? Normale! Vrave dikë që të dhuroi shpirtin, trupin, të dhuroi kohën, jetën, fëmijë… e ndoshta dashuri që nuk e ke merituar kurrë. Je i lumtur, i qetë besoj. Je më i fortë! Ama nuk e kuptova dot, vrave atë apo egoizmin tënd? Vrave atë po injorancën, paaftësinë tënde? Vrave atë apo inferioritetin tënd?

Të kuptoj! Çdo njeri lind për një arsye në këtë tokë! Ti akoma nuk po gjen arsyen tënde! E ngatërron veten me Zotin, të aftë për të marrë jetë. Për disa sekonda e arrin! Ajo është poshtë tokës, ti je lart! Ndoshta je në burg, i çliruar që i tregove vetes se bërë diçka në këtë jetë boshe që ke pasur gjithë këto vite. Ndoshta je gangster, je jashtë! Bravo! Shijo lirinë tënde me gjithë mallkimet e botës mbarë!

I dashur gjysmë burrë! Ti vrave një krijesë të Zotit, vrave vajzën e dikujt, ëndrrën e dikujt, idhullin e dikujt, motrën e dikujt, shoqen e dikujt dhe akoma më tmerr: nënën e fëmijëve të tu. Jeto tani! Le fëmijët e tu jetimë! Jeto i lumtur! Jeto i lumtur sepse deri më parë nuk ke pasur asnjë arsye për të jetuar. Por duhet të dish të vërtetën: Nëse më parë ke qenë askush, sot je një vemje që rrotullohet si fantazmë duke mbajtur mbi supe lotët, mallkimet e fëmijëve të tu dhe përbuzjen e gjittmbarshme.

Por, ti nuk je vetëm! Çdo ditë të shtohet ndonjë personazh që ndjek shembullin tënd. Kjo ta zbut ndërgjegjen! Nuk ke dhe faj! Të gjithë keni një arsye të vlefshme që ju shtyu të merni një jetë! Unë mendoj që gjithë ky guxim duhet duartrokitur! Sepse shoqëria jonë me mosreagim, në heshtje po ju duartroket!

E çuditshme! Të gjithë vdesim! Por në shoqërinë tonë, vdes çdo ditë nga pak se je femër! Të drejtat e tua shtypen që në fëmijëri. Shoqëri maskiliste!

Vrasja nuk vjen nga asgjëja! Vjen e paralajmëruar! Por askush nuk reagon! Pse të reagojnë? A nuk është kjo që ne na ka formuar dhe formojmë çdo ditë?

Duro! Nderi! Je femër! Nuk mund të ndahesh nga burri për shkak të dhunës! Duhet të durosh! Nuk prishet familja! Burri edhe të rreh! Më mirë vdis me nder tek burri se e pandershme e ndarë!

I dashur gjysmë burrë! Nëse të bën të ndihesh më burrë të vrasësh një njeri me më pak forcë se veten, vrit veten se të siguroj se ti je më i dobët!

I dashur gjysmë burrë! Prano që je vetëm mashkull biologjikisht dhe mos e quaj veten burrë! Uroj që nëse Ferri ekziston ashtu si e kemi lexuar në librat fetarë, ti të digjesh çdo dite, por fatkeqësisht nuk jam kaq optimiste. Prandaj uroj dhe shpresoj që Ferrin ta gjesh këtu, në këtë tokë, në këte dimension! Uroj që edhe vdekja të jetë vuajtje e pafund për ty!

Silvana BEGAJ

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here