Shqipëria nuk rezulton me persona të prekur nga koronavirusi. Nga 13 rastet e dyshuara pas kryerjes së analizave në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik rezultuan negative.
Buxheti i shtetit mund të përdorë fondin rezervë në rast së përhapjes së një epidemie në vend, përveç buxhetit të Ministrisë së Shëndetësie.
Fondi rezervë në buxhetin këtij viti është me vlerë 1,7 miliard lekë apo rreth 14 milionë euro.
Burime për Monitor në Ministrinë e Financave thanë se në kriteret e shpërndarjes së fondit rezervë përcaktohet se mund të akordohen shuma për shpenzime të ndryshme që mund të nevojiten gjatë vitit. Shpërndarja e shpenzimeve nga fondi rezerve në rast epidemie nga koronavirus kryhet me VKM.
“Pra në rast epidemie nëse do të nevojitej të shpenzohej nga fondi rezervë, qeveria duhet të nxjerrë VKM për akordimin e vlerës së shumës”, shpjegojnë Financat.
Ndryshimet me vendim të Këshillit të Ministrave janë të domosdoshme, pasi buxheti i shtetit nuk ka fond të veçantë për emergjencat në shëndetësi.
Ministria e Shëndetësisë brenda buxhetit të miratuar mund të përdorë fondin për emergjencën. Siç ishte rasti i miratimit të fondit 1 milionë euro për shtim të mjeteve mbrojtëse për personelin mjekësor në vend.
Sipas buxhetit të këtij viti, në total fondi i rishikuar për shpenzimet korente të Ministrisë së Shëndetësisë llogariten 62 miliardë lekë. Sipas zërave të buxhetit fondi në total për shpenzime për shërbimin e shëndetit publik dhe shërbimin kombëtar të urgjencës llogaritet 3.3 miliardë lekë.
Buxheti u rishikua edhe pas tërmetit
Pas ngjarjes së tërmetit me qëllim mbulimin e kostove të dëmeve Kuvendi shkurtoi me 2,8 miliardë lekë fondet e buxhetit të institucioneve.
Ministrisë së Shëndetësisë, pjesa më e madhe e fondeve të buxhetit pas rishikimit iu shkurtua 350 milion lekë apo 0,6 për qind e fondeve. Fillimisht në buxhet Ministrisë së Shëndetësisë iu miratuan 63.3 miliard lekë. Pas shkurtimit fondet e kësaj ministrie janë 62.1 miliard lekë.
23 milion euro fonde u shkurtuan në 29 institucione, duke përfshirë fondet e Ministrisë së infrastrukturës me 285 milion lekë, Ministrisë së Arsimit me 555 milionë lekë, Ministrisë së Brendshme me 259 milion lekë.
Nga shkurtimet u prekën edhe Fondi shqiptar i Zhvillimit, ku u shkurtuan 2,4 për qind më pak fonde apo 364 milion lekë.
Fatura e dëmeve të 26 nëntorit ishte 1 miliardë euro. Në konferencën e donatorëve u mblodhën 1,15 miliard euro, ku rreth 800 milion euro ishin kredi e butë.