Mospajtimet rreth heqjes së taksës me Serbinë mes të dy partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë, LVV dhe LDK kanë bërë që të anulohet mbledhja e Qeverisë e paralajmëruar të mbahej në orën 16:00 të së premtes. Sipas asaj që shkruan Gazeta Express, mbledhja nuk u mbajt për shkak të përplasjeve rreth vendimit të kryeministrit Kurti për të hequr pjesërisht taksën 100%.
Në njoftimin e bërë për këtë mbledhje të Qeverisë nuk ishte publikuar as rendi i ditës. Zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës përfshirë edhe kryetarin Isa Mustafa janë shprehur “pro” heqjes së tërësisht të taksës dhe vendosjes së reciprocitetit vetën në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu, nga LDK-ja kanë bërë thirrje që të anulohen vendimet që pengojnë vazhdimin e dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë. Qëndrim të pandryshueshëm vazhdon të mbajë Lëvizja Vetëvendosje në krye me kryeministrin Kurti, të cilët pavarësisht presionit dhe kërkesës së Ëashingtonit nuk dëshirojnë ta heqin tërësisht taksën. Kurti ka thënë se taksa do të hiqet në momentin e parë që vendoset reciprociteti.
Por ky qëndrim është në kundërshtim të plotë me kërkesat e Përfaqësuesit Special Presidencial të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ky i fundit ka kërkuar që të hiqet taksa menjëherë. Heqjen e taksës e ka kërkuar edhe Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, pas një takimi që dje ka pasur me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.