Në Kongresin e Partisë Sosialiste, u prit me ovacione i moshuari 100 vjeçar, Ziqiri Mero, të cilin kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, e puthi në ballë dhe e nderoi si një nga pjesëmarrësit më të rëndësishëm të Kongresit. Po kështu, pjesëmarrësit e tjerë në sallë, të ekzaltuar nga prania e Meros, nuk i ndalën duartrokitjet.
Por, kush është Ziqiri Mero?
TPZ.al po publikon dokumentat, që tregojnë se Ziqiri Mero, si prokuror në diktaturë, ka kërkuar dënime me vdekje, të paktën për gjashtë persona, të cilët sipas gjykatës kishin “tradhëtuar dhe shërbyer okupatorit“. Ata janë: Faik Riza Tartari, Zef Sadri Kabashi, Gjon Cupi, Murteza Bektash Satke, Lec Ndreca dhe Faredin Myrteza Angoni.
Këshilli Gjyqësor Ushtarak u mblodh “…duke qenë prezent sekretari Qemal Ceka, me asistencën e prokurorit kapiten Ziqiri Mero. Sot më datë 4/VI/ 1945, u mblodh në selinë e Gjykive për të gjykuar të pandehurit partizanë…”.
Në vendimin e gjykatës, thuhet:
“Këshilli Gjyqësor Ushtarak, pasi dëgjoi apologjinë e të panderhurëve të sipër-përmendur dhe pretencën e prokurorit, konstatoi se; Pjesërisht të pandehurit kanë qenë anëtarë të organizatës tradhtare të Ballit, si dhe milicë e xhandarë dhe si të këtillë i kanë shërbye okupatorit deri në çlirimin e Shqipërisë… Trupi gjykues, gjatë zhvillimit të Gjyqit, konstatoi se në përgjithësi këta elementë kanë qenë të ndërgjegjshëm për tradhëtinë e tyre të naltë…vendosi dënimin e fajtorëve me vdekje dhe bjerrjen e nderit Ushtarak “.
Dokument: Vendimi i Gjykatës – me asistencën e Prokurorit Kapiten Ziqiri Mero.
Gjashtë të pandehurit u dënuan me vdekje. Një tjetër dokument, dëshmon se dënimet me vdekje, i aprovoi Enver Hoxha, vetëm një ditë më pas, më 5 Qershor 1945.
Dokumenti – Enver Hoxha aprovon dënimin me vdekje.
Për dënimet e shumta me vdekje që dha Ziqiri Mero deri në vitin 1950, ai u shpërblye dhe u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik.
Kur u kthye nga studimet, Mero u gradua Gjeneral Major. Deri në vitin 1967, ai ishte Admiral i Flotës Ushtarake Detare, si komisar i saj.
Ziqiri Mero është me origjinë nga fshati Baban i Korçës, një nga të paktët komunistë në atë fshat ballistësh.
Në vitin 2020, në Kongresin e Partisë Socialiste, Ziqiri Mero, për të gjithë këtë karrierë të pasur dhe të larmishme që ka patur, të cilën TPZ.al e sqaroi më lartë, u nderua dhe u puth në ball nga kryetari i partisë dhe kryeministri i vendit, Edi Rama.
/TPZ.al/