Është zhvilluar në Gjykatën e Durrësit seanca për masën e sigurisë për shtetasin Ruzhdi Tasuni, i cili pak ditë më parë vrau me sende të forta gruan e tij Hajdie Tasuni. Autori i vrasjes u shfaq i penduar në sallën e gjyqit duke iu kërkuar falje fëmijëve të tij për krimin e bërë, i cili sipas tij erdhi pas zënkave të përditshme për shkak të borxheve.
“Ishte një sherr i çastit, pas zënkave të vazhdueshme për shkak të borxheve që kishim, i kërkoj falje fëmijëve të mi. Nuk duhet të kisha mbërritur këtu”, u shpreh Ruzhdi Tasuni.
Prokurorja Teuta Rrudha solli në sallën e gjyqit detaje të reja nga ngjarja që tronditi jo vetëm Durrësin, por mbarë opinionin publik.
“Në vendngjarje, oficerët e policisë gjyqësore e gjetën qepenin e mbyllur dhe Hajdie Tasunit, iu konstatuan 6 goditje në kokë, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa ka qenë vetë ai që ka njoftuar sallën operative të policisë, pas aktit të kryer në drejtim të bashkëshortes”, u shpreh organi i akuzës gjatë seancës së sotme.
Avokati mbrojtës, e ka argumentuar veprimin e të mbrojturit prej tij se e ka kryer në kushtet e rëndesës psikologjike e dëshmuar kjo, sipas tij, dhe nga ekzaminimet psikike të kryera ndaj Tasunit.
Pas dëgjimit të dy palëve, Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Ruzhdi Tasunin.
Gjatë dhënies së masës së sigurisë në sallë nuk ka qenë asnjë familjar i pranishëm.