Presidenti i vendit Ilir Meta ka shpërndarë në “Facebook” fjalën e artistit të njohur Edmond Budina të mbajtur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 2 mars.
Postimi i presidentit Ilir Meta:
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka shkëlqyer si shembull i rezistencës titanike civile dhe qytetare kundër grushtit të shtetit, dhe frymëzim për mua, në betejën pa kthim të mbrojtjes së Kushtetutës, lirisë dhe demokracisë.
Edmond Budina, artist dhe regjisor i shquar, skenarist dhe Profesor i artit skenik, duke lënë të gjithë angazhimet e tij jashtë vendit, erdhi në Shqipëri, për t’ju bashkuar ashtu si 30 vite më parë Zërit të Popullit, Zërit të Zotit: Liri Demokraci! E duam Shqipërinë si gjithë Europa!
Jemi të nderuar, që PRANVERËN KUQEZI e udhëheqin dhe i janë bashkuar, intelektualët e shquar të kombit, si Edmond Budina, dhjetorist i demokracisë, që udhëhoqi studentët edhe për rrëzimin e diktaturës.
FJALA E REGJISORIT TË SHQUAR, EDMOND BUDINA, NË MANIFESTIMIN MADHËSHTOR MBARËKOMBËTAR NË MBROJTJE TË KUSHTETUTËS
Përshëndetje të gjithëve!
30 vjet më parë ne kishim një ëndërr: Ta bënim Shqipërinë si gjithë Europa! Pas 30 vjetësh kthehem këtu, për ta bërë Shqipërinë përsëri si gjithë Europa. Për ta shpëtuar nga kjo diktaturë e re, e cila mundohet ta përdhosë vendin.
Ne kthehemi këtu për të luftuar korrupsionin, për të luftuar mafien.
I vihem në krah Presidentit të Republikës, për të mbrojtur Kushtetutën nga ata që e kanë uzurpuar.
Nuk kam ardhur këtu si mik i Ilir Metës, as si ndonjë përfaqësues i ndonjë partie politike.
Asnjëherë nuk kam përfituar prej tyre, por kam ardhur këtu për të mbrojtur demokracinë, lirinë e vendi tonë. Ne nuk duhet ta lejojmë që vendi jonë të zbrazet.
Unë kam qenë emigrant kam lënë punët e mia dhe e di se çfarë do të thotë të vdesin prindërit dhe të mos arrish t’i shikosh? Të mos kesh për të ngrënë dhe të vuash dhe të shikosh në Parlamentin tënd, ata njerëz që janë pasuruar në mënyrë të pandershme që vishen më rroba firmato, ndërkohë që pensionistët nuk kanë para për të marrë ilaçet.
Prandaj ne jemi këtu të gjithë së bashku për t’i thënë neodiktaturës që nuk ka për të fituar. Çdo lloj salep-sulltani që mundohet të vendosë sulltanatin e tij në këtë vend, nuk do t’ia dalë kurrë.
Nuk do t’ia dalë kurrë të shkatërrojë Shqipërinë, ta zbrazë Shqipërinë.
Shqipëria 30 vite më parë kishte ëndërr “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” dhe unë them ne vetë do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, të gjithë bashkë, duke e shporrur pikërisht këtë oktapod që nuk ka asgjë socialiste për të mbrojtur Kushtetutën e vendit. Për të mbrojtur institucionet. Faleminderit!
https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/238936807133840/?t=1