Veliaj merr kontrollin e asamblesë së PS/ Emrat e drejtorëve të bashkisë që u votuan

0
266

Votimi i së shtunës në Kongresin zgjedhor të PS-së për anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare, çoi në një rekord të ri të përfaqësimit të Bashkisë së Tiranës në këtë forum.

Nga 20 anëtarë të Asamblesë Kombëtare që përfaqësojnë Tiranën, 17 janë drejtorë të bashkisë, administratorë të njësive vendore në këtë bashki, që emërohen nga kryebashkiaku dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak.

Duket se performanca e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës ka bindur delegatët e që t’i votojnë ata në shumicë, duke lënë jashtë kësaj Asambleje zv.ministrat e rinj të qeverisë, të cilët në shumë raste janë promovuar si frymë e re në qeverisjen e Partisë Socialiste.

Jashtë Asamblesë kanë mbetur zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, zëvendësministri i Jashtëm, Etjen Xhafaj, zëvendësministrja e Drejtësisë, Teuta Vodo etj.

Por ajo që shqetësoi më shumë kryetarin e PS-së, Edi Rama, ishte fakti se në votimin e delegatëve për zgjedhjen e Asamblesë së re Kombëtare nuk morën pjesë rreth 213 delegatë. Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Zgjedhor i PS-së, ‘pjesëmarrja në votime ishte 85.3%, thënë ndryshe, votuan 1242 delegatë nga 1456 të tillë. Këto votime treguan edhe një herë rritjen e përfaqësisë së vajzave/grave në strukturat e partisë, të cilat do të përbëjnë 45.2% të Asamblesë Kombëtare’.

Vetëm nga delegatët e Tiranës morën pjesë në votim 70 për qind e tyre, duke e bojkotuar procesin e votimit. Burime nga delegatët e Kongresit thanë se një pjesë e tyre refuzuan votimin e një liste të paracaktuar për në Asamblenë Kombëtare, duke bërë që ata të largoheshin nga votimi. Kryesocialisti thirri të hënën në selinë rozë ministra dhe deputetë të deleguar në njësitë administrative, për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur me votimin. Rama mësohet se ka qenë i ashpër me ta, duke kërkuar mësimin e arsyeve të refuzimit të tyre në votim.

Anëtarët e rinj

Në listën e anëtarëve të Tiranës për Asamblesë Kombëtare ishin: Elton Kacidhja, drejtor i Punëtorëve të Qytetit Nr.2; Taulant Tusha, drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike; Admir Abrija, drejtor i Kontrollit të Karburanteve, por dhe Arli Naska, drejtor i Tatimeve të bashkisë. Po ashtu, listës i bashkëngjiten edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbër Mazniku. Lista e anëtarëve të Tiranës në Asamblenë Kombëtare vijon me Anila Shehun, drejtoreshë e Qytetit Studenti dhe Zhaneta Beqiri, drejtoreshë e Kopshteve dhe Çerdheve të Bashkisë së Tiranës.

Po ashtu, një numër i madh administratorësh u votuan për në Asamblenë Kombëtare. Trëndelina Jaku, administratore e Njësisë Nr.1; Florjan Pullazi, Njësia Nr. 2; Ergesta Ninga, Njësia Nr. 3; Liri Qoshi, Njësia Nr.4; dhe Aida Prendi, administratore e Njësisë Nr. 9. Gjithashtu, listës i shtohen edhe këshilltarët bashkiakë, Sonila Qato, Aldrin Dalipi, i cili është dhe kryetar i Këshillit të Qarkut dhe Klodeta Dibra./Gazeta Panorama

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here