OFL i ka dërguar formularin për deklarimin e pronësisë tre personave të dënuar për krime të rënda nga gjykatat e huaja dhe vendase.
Në fokusin e OFL sot ka qenë Mond Bega, një personazh mjaft i përfolur vitet e fundit në Shqipëri për shkak të akuzave të opozitës për lidhje me maxhorancën, përmes të cilës ai ka përfituar tenderë si edhe hapësirë toke për të ndërtuar një kompleks pallatesh.
Kush është Mond Bega?
Ai rezulton i dënuar në Itali me 11 vjet burg, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge”. Pas dënimit atje, Bego rikthehet në Shqipëri duke iu futur biznesit të ndërtimit.
Më 22 gusht 2018 Partia Demokratike deklaroi se kompania “Inert Express” – në pronësi të “mikut të Taulant Ballës Mond Bega” kishte fituar një tender 99 milionë lekë nga Operatori i Sistemit të Transmetimit edhe pse nuk kishte eksperience në ndërtimin e nënstacioneve elektrike. Gjithashtu, biznesmeni akuzohet se ka përfituar dhe një tender nga OSHEE me vlerë 3 milion USD. Ndërkohë, një vit më parë PD akuzoi sërish Begën se po ndikonte në ndryshimin e rrjedhës së lumit Lana me qëllim shpërnguljen e një numri të madh banorësh për të krijuar një hapësirë toke ku të ndërtohet një kompleks pallatesh.
Bego është përfolur gjithashtu për lidhje me bandën e Aldo Bares sipas përgjimeve të kryer nga prokuroria italiane gjatë viteve 2000.
Bego ndërkohëe është shprehur publikisht se nuk ka lidhje me akuzat e bëra nga opozita dhe se çdo gjë në biznes e ka bërë konform ligjit.
Dënimi
Me datë 26 prill 2007, Edmond (Mond) Bega, i njohur gjithashtu në atë kohë si Manoli Bega, është dënuar me 27 vjet e 9 muaj heqje lirie nga Gjykata e Torinos- i ulur sipas nenit 442 të Kodit të Procedurës Penale Italiane në 18 vjet e 5 muaj heqje lire.
Ai është gjetur fajtor për një listë të gjatë akuzash, përfshirë “prodhim dhe trafikim i paligjshëm i lëndëve narkotike, bërjen pjesë në një organizatë që ka për qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, organizimin dhe drejtim i organizatave kriminale.’
Kundër këtij vendimi është bërë ankim në Gjykatën e Apelit në Torino dhe një vit më vonë, në 22 prill 2008, vendimi i gjykatës së faktit është ndryshuar në 21 vjet burgim dhe në aplikim të nenit 442 – për uljen e 1/3 së dënimit, vendimi është konvertuar në 14 vjet heqje lirie.
Nga avokati i të pandehurit është bërë rekurs në Gjykatën e Kasacionit në Romë, por kjo e fundit ka vendosur mospranimin e rekursit, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit në Torino.
Në vitin 2009, si pasojë e ligjit të amnistisë së përgjithshme në Itali, dënimi i Begës është ulur me urdhër të Prokurorisë së Torinos në 11 vjet burgim.
Në vitin 2009, Ministri i Drejtësisë në Itali i është drejtuar homologut të tij shqiptar për ekzekutimin e vendimit, kërkesë e cila i është përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme dhe më tej Prokurorisë së Tiranës për njohjen e vendimit në Shqipëri.
Në bazë të marrëveshjes shtesë të Konventës Europiane për Transferimin e Personave të dënuar, në dhjetor të vitit 2009, Gjykata e Tiranës ka nxjerrë një urdhër arresti për shtetasin Edmond Bega, vendim i cili është ekzekutuar me 30 dhjetor 2009.
Kundër vendimit është bërë ankim në Gjykatën e Apelit, Tiranë, e cila me 3 shkurt ka lënë në fuqi masën e arrestit.
Më pas organi akuzës i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për njohjen e vendimit penal të shtetit italian ndaj Edmond Begës dhe gjykata e ka miratuar kërkesën e prokurorisë duke e konvertuar dënimin në 15 vjet burgim, i cili pas aplikimit të amnistisë dhe uljes së dënimit sipas nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, e redukton heqjen e lirisë në 7 vjet. Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Tiranë.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është ankimuar në Gjykatën e Lartë, e cila nëpërmjet vendimit të marrë me 15 gusht 2009, ka vendosur ndryshimin e masës së dënimit në 11 vjet burgim, i cili në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale dhe amnistisë është reduktuar në 4 vjet e 4 muaj./abcnews.al