Në puntatën e sotme të “Dua të të bëj të lumtur” ishte i ftuar Xhaferri nga Vlora. Ai kishte zgjedhur programin për të komunikuar me bashkëshorten e cila ishte larguar nga shtëpia disa javë më parë së bashku me dy fëmijët.
Xhaferri rrëfeu se debatet dhe problemet midis tyre kishin nisur sepse Marsela kërkonte të jetonte në qytet dhe nuk bënte punët e fshatit.
Marsela nga ana tjetër u shpreh se ishte detyruar të largohej për shkak të dhunës së vazhduar fizike dhe psikologjike që kishte ushtruar Xhaferri. “Lumturia ime ishtë në shtëpi, por dhuna që ushtronte më detyroi që të largohesha bashkë me fëmijët”, u shpreh Marsela.
Xhaferri mohoi që kishte ushtruar dhunë dhe i kërkoi Marselës një mundësi të dytë.
“Kam ardhur në emision për të të kërkuar që zënkat që kemi t’i lëmë mënjanë. Dua që të bashkohemi dhe të kujdesemi për fëmijët tanë”, tha Xhaferri.
Marsela madje rrëfeu se e kishte denoncuar disa herë në polici Xhaferrin por e kishte tërhequr denoncimin për hir të fëmijëve të vegjël. Ajo u shpreh se nuk ndihej gati që ta falte e të rikthehej përsëri me Xhaferrin.
/Top-Channel