E ndërsa kriza e emigrantëve që vijnë nga vendet në konflikt thellohet dita ditës, autoritetet shqiptare pavarësisht se kanë paralajmëruar masa shtesë në lidhje me strehimin e tyre, ende nuk ka një vendim zyrtar për ngritjen e qendrave akomoduese.
Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari pohon se i vetmi vend akomodimi për emigrantët nga lindja mbetet ai i stacionit të policisë në pikën kufitare të Kapshticës, ku mbahen për disa orë dhe më pas ose kthehen nga vijnë, ose kthehen në Babërru.
Spirollari: Këto lëvizje shkojnë në Kapshticë, policia kufitare është në krye të detyrës, kryhen sipas të gjitha protokolleve.
Sipas prefektit ngritja e qendrave të strehimit në vendin tonë mund të bëhet vetëm pas një marrëveshje me shtet e BE. Por deri tani sipas tij nuk ka asnjë kërkesë apo njoftim zyrtar për ngritjen e këtyre qendrave akomoduese. Por nëse do të jetë nevoja, ne jemi të gatshëm thotë Spirollari.
Spirollari: Nuk kemi asnjë kërkesë nga institucionet ndërkombëtare për të gjetur vend për strehim.
Ideja e ngritjes së qendrave të pritjes së refugjatëve në ish-repartet ushtarake të juglindjes, qarkulloi edhe dy vite më parë, por ky plan nuk u zbatua asnjëherë, ndërsa tani flitet për tre zona të tjera. Që nga Devolli, Kolonja apo dhe në një fshat pranë Korçës.
Vetëm përgjatë muajit shkurt zyrtarisht policia ka njoftuar se janë ndaluar 920 refugjatë, çka do të thotë se numri i tyre që hyjnë në vendin tonë mund të jetë edhe më i madh referuar refugjatëve që arrijnë ti shpëtojnë policisë./OraNews.tv