Edhe pse raporti final nuk është publikuar, Komisioni i Venecias i jep të drejtë Presidentit Ilir Meta për grushtin e shtetit që kërkon të bëjë qeveria me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Për nënkryetarin e PD-së, Edi Paloka, Venecia ka “zbythur” Ramën dhe ky vendim qe një goditje e fortë për të. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ai thotë se kryeministri Edi Rama ka në dorë vetëm një zgjedhje, të zgjedhë sesi do të largohet, duke i dhënë mundësinë shqiptareve të votojnë lirisht ose do të largohet si Gadafi. Paloka thotë se opozita i doli në mbështetje Presidentit pasi mazhoranca po tenton të kapë çdo institucion, edhe demokratët do jenë në krah të kësaj beteje. Lidhur me akuzat se PD-ja kërkon që të shtypjë Reformën Zgjedhore, Paloka thotë se 15 marsi nuk diskutohet dhe se opozita i përmbahet qëndrimit si në ditën e parë të tyezës. “Jemi në tryezë dhe po realizojmë pikë për pikë detyrimet tona. Në rast se Rama këtë tryezë kërkon ta përdorë sa për t’i dhënë kohë vetes e pushtetit të tij, atëherë pas afateve të përcaktuara, opozita ka të gjithë të drejtën të reagojë. Besoj se në një rast të tille edhe partnerët do jenë qartësuar se Rama as nuk e ka ndërmend të plotësojë kushtet që i janë vënë dhe çdo reagim i opozitës do të jetë krejtësisht legjitim”.
Raporti paraprak i Komisionit të Venecias rrëzon nismën e PS për marrjen e kompetencave të Presidentit Ilir Meta për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kështu i jep të drejtë kreut të shtetit. A është kjo një pikë e fortë që Presidenti të shpërndajë Parlamentin pas datës 15 mars?
Raporti paraprak i Komisionit të Venecias është një goditje e fortë për Ramën dhe gjithë ata që i shkojnë pas me sy mbyllur në çdo akt jo vetëm antikushtetues por edhe antishqiptar. Për sa i përket shpërndarjes së atij që vazhdon të vetëquhet Parlament, ne si opozitë e kemi shpërndarë që një vit më parë kur dorëzuam mandatet. Ata që vazhdojnë e mblidhen në sallën e Parlamentit janë ilegjitime dhe çdo akt që ata ndërmarrin është nul.
Nëse Presidenti do ta formalizojë apo jo shpërndarjen e Parlamentit me një akt formal, pra me dekret, kjo është në vullnetin e Presidentit. Sigurisht që ne si opozitë e inkurajojmë që ta ndërmarrë këtë akt, pra ta shpërndajë dhe formalisht një Parlament që vazhdon të mblidhet në ilegjitimitet të plotë. Sesi do të veprojë Rama pas vendimit të Komisionit të Venecias, nuk mund ta them unë sepse nga një qënie e tillë mund të pritet gjithçka.
Mos harrojmë që ishin ata që e kërkuan Komisionin e Venecias dhe pikërisht një ditë përpara se delegacioni i tyre të takohej me përfaqësuesit e Ramës, miratuan në atë fare Parlamenti ligjin për betimin tek Lana të gjykatësve Kushtetues, atë ligj për të cilin e kishin kërkuar Komisionin e Venecias. Pra vërtetë nën presion “Rilindja” është zbythur, po nga Rama mund të presësh gjithçka. Ai është i vendosur ti shkojë grushtit të shtetit deri në fund sepse atë e sheh si të vetmen mundësi për të mbijetuar pas gjithë zullumeve që ka bërë, prandaj do të provojë me çdo mënyrë të arrijë qëllimet e tija.
Letra e Presidentit Ilir Meta dërguar komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi lidhur me ngërçin në Kushtetuese, ka shkaktuar tjetër debat. Si ju përgjigjeni akuzave se Presidenti dhe opozita nga ana tjetër, kërkon bllokimin e negociatave?
Se kush i ka penguar dikur dhe kush është shkaktar që prej shtatë vitesh nuk bëjmë asnjë hap përpara, këtë e di dhe shqiptari më i pa informuar sot. Rama dikur në opozitë bllokoi marrjen e statusit të vendit kandidat se kërkonte pazar “Më jepni kryetarin e qarkut të Fierit që të votoj tre ligjet”-deklaronte Rama atëherë. Sot, mjafton të lexosh kushtet e Bundestagut, të ndjekesh kronologjinë e kushteve që i janë vënë qeverisë Rama nga momenti i parë dhe shtimin e tyre pas çdo etape, për të kuptuar se kush është shkaktari i bllokimit të Integrimit për shqiptarët. E nisi me pesë kushte, sot kemi nëntë kushte dhe presim të shtohen të tjera. Pse? Sepse Rama jo vetëm nuk bën përpara në plotsimin e kushteve po shton probleme të tjera me aktet e tij. Krimi, korrupsioni dhe mungesa e zgjedhjeve të lira janë arsyet pse prej shtatë vitesh nuk na hapet rruga, madje ka vende që kërkojnë dhe rikthim të vizave për shqiptarët. Shkaktari është vetëm një; Edvin Rama
Si ju përgjigjeni zërave që opozita e bashkuar dhe socialistët e zhgënjyer duhet të vazhdojnë valën e protestave, për të rrëzuar nga qeveria Edi Ramën. Çfarë strategjie po ndjek PD-ja? Si e ka lexuar PD-ja mesazhin e 2 marsit?
Nuk ka asnje dilemë tek opozita se me Ramën nuk ka zgjedhje të lira në Shqipëri. Unë e kam bërë publik qëndrimin tim dhe më parë; Rama ka në dorë vetëm një zgjedhje, të zgjedh se si do të largohet, duke i dhënë mundësinë shqiptarëve të votojnë lirisht ose si Gadafi!
Parlament me 2 dhoma dhe strukturë për Vetting të kandidatëve. Propozimet e PD kërkojnë ndryshme kushtetuese, që do të thotë se aafti i 15 marsit i vendosur për miratimin e reformës zgjedhore nuk i mundëson kohën e nevojshme. Mos PD po kërkon shtyrjen e Reformës Zgjedhore?
Synimi i propozimeve të opozitës është që të krijojnë kushtet optimale teknike për zgjedhje të lira e të ndershme pa harruar që vullneti politik mbetet kushti kryesor. Asnjë ndryshim nuk sjellin këto propozime për sa i përket datës 15 mars që është data e finalizimit të tryezës. Sigurisht implementimi i tyre kërkon një kohë të caktuar por kjo i përket afateve të tjera.
Qëllimi final i opozitës është realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme në një kohë sa më të afërt pra zgjedhje të parakoheshme lokale dhe parlamentare. Ai që është i interesuar të zvarritet sa më gjatë në pushtet është Rama e për këtë arsye (une e kam deklaruar që në fillimet e tryezës) ai do të përpiqet të shtyjë afatet e ta bllokojë Reformën Zgjedhore. Në një rast të tillë sigurisht që opozita do të marrë vendimet e saj. Ne i jemi përgjigjur kërkesës së partnerëve që në fakt e detyruan Ramën të ulet në një tryezë jashteë parlamentare për Reformën Zgjedhore.
Ne po tregohemi luajal me partnerët dhe me palën tjetër. Jemi në tryezë dhe po realizojmë pikë për pikë detyrimet tona. Në rast se Rama këtë tryezë kërkon ta përdorë sa për ti dhënë kohë vetes e pushtetit të tij, atëherë pas afateve të përcaktuara, opozita ka të gjithë të drejtën të reagojë. Besoj se në një rast të tille edhe partnerët do jenë qartësuar se Rama as nuk e ka ndërmend teë plotësojë kushtet që i janë vënë dhe çdo reagim i opozitës do të jetë krejtësisht legjitim.