U bënë më shumë se tre ditë që vendi ynë ka hyrë në rrezikun e koronavirusit. Në Tiranë ku është përqëndruar popullsia më e madhe, njerëzit ende nuk janë ndërgjegjësuar atë çfarë po ndodh në botë sot, që është në prag pandemie. Tirana është qendra kryesore e lëvizjes së njerëzve. Në gjithë këto ditë, ata nga frika e urbanëve të qelbur, kanë zgjedhur të vërshojnë rrugëve pa ditur se gjenden po aq të rrezikuar sa në autobusë.
Pse e themi këtë? Sepse kryetari i bashkisë Erion Veliaj ka mbetur në zyrat e tij, duke dhënë “urdhëra” pothuaj të papërfillshëm, dhe lënë qytetin, me potencialin e një shteti, pa asnjë masë dizifektuese.
Si duket Veliaj nuk e sheh botën, nuk sheh mediat, nuk sheh çfarë po ndodh përreth, se si vihen në krye të shërbimeve sociale kryetarët e bashkive?! Po ç’bën Veliaj? Si duket ai di të mbledhë vetëm taksa nga qytetarët dhe bizneset. Taksa pastrimi, taksa arsimi, taksa mbi taksa, që nuk tregohet asnjëherë se për ku shkojnë dhe si menaxhohen ato. A nuk është ky rasti që Veliaj të tregojë fuqinë që ka bashkia e Tiranës? Rrugët janë të padizifektuar, ambjentet publike po ashtu…Autobusët nuk I pamë asnjë ditë nën kujdesin e bashkisë, të dizifektoheshin, as sot që flasim kur rreziku po mbyll pak nga pak njerëzit nëpër shtëpi.
A e shef botën o kryetar? Kur do të marrësh masat? Ta falim këtë herë daljet në media nëse ke një mjet dizifektues në dorë, për të treguar shembull qytetar, por s’na hiqen nga mendja daljet në televizione për çdo pemë që mbillje. Shif, e merr shembull nga kryetarët e bashkisë së Fierit e Lushnjës, se si po kujdesen për qytetin e tyre duke e dizifektuar.
Dil e shih se është jeta e njerëzve, çohu e puno, shko lagje më lagje e shih ç’bëhet me njerëzit e qytetit tënd! Edhe kryetarët e bashkisë së Fierit e Lushnjës, socialistë janë por po përpiqen me e mbështet qeverinë.
Në gjithë botën bashkia për qytetin është pothuaj një shtet, për të cilin kujdesen, duke bashkëpunuar me punët e qeverisë. Kurse ti Veliaj mbete brenda, edhe pse merr pjesën më të madhe të luanit nga buxheti i shtetit.
Çohu e puno, e ndihmoje qeverinë qëndrore. Bashkia duhet të marrë territorin e saj nënkontroll. Nuk ka për detyrë vetëm të hedhë beton, e të hapë gropa për pallate shumëkatëshe, e zaptime sheshesh e parqesh.
Jemi në prag të një rreziku katastrofal, dhe njerëzit e pamësuar me këto rreziqe nuk dijnë se si të përplasen, ku të shkojnë se tashmë e kemi thënë, e ka humbur besimin nga qeverisja e vet.
Por ky është rast emergjent, çohu e puno Veliaj, jemi në emergjencë dhe qeveria do mbështetje.
Çohu, dil e puno qysh tani Erion, fillo dizifektimin e qytetit se nesër është vonë.