Ka shkuar në 33 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri, ku sot u konfirmaun 10 raste të reja. Katër prej tyre janë vetëm në qytetin e Fierit.
Një nga katër rastet e konfiruara në Fier është një 66 vjeçar nga Patosi, i cili është kthyer nga Italia më datë 3 mars.
Burime bëjnë me dije se 66 vjeçari nga Patosi ka qenë në të njëjtin avion me 73 vjeçaren që ndërroi jetë nga Durrësi. Më pas, 66 vjeçari ka shkuar me një furgon pasagjerësh nga Tirana për në Fier dhe më pas me një tjetër furgon nga Fieri për në Patos.
Ndërkohë, gazetarja Valbona Davidhi raporton për abcnews.al se 66-vjeçari ka marrë pjesë po ashtu edhe në një festë. Pas mbërritjes nga Italia ai ka organizuar një festë në një lokal në qendër të Patosit për ditëlindjen e nënës së tij.
Nisur nga kjo situatë autoritetet lokale janë duke bërë një listë të personave që kanë patur kontakt me 66-vjeçarin. Bashkia e Patosit ka dhënë urdhrin për mbylljen e të gjitha lokaleve dhe restoranteve. Po ashtu u është bërë thirrje qytetarëve që të izolohen.
Ky i fundit është ndjerë i sëmurë tre ditë më parë, ku ka shkuar edhe në farmaci dhe ka kërkuar medikamente. Por duke qenë se gjendja nuk është përmirësuar dhe më pas i janë marrë mostrat. 66-vjeçari nuk ka shkuar në spitalin e Fierit, por në drejtorinë e Shëndetit Publik. Pasi ka rezultuar pozitiv me virusin e ri ai është nisur drejt spitalit Infektiv në Tiranë dhe mësohet se gjendja e tij është e stabilizuar.
Ndërkohë tre rastet e tjera në Fier janë në zonat rurale.