Stafi mjekësor i Spitalit të Beratit, i cili është vetë karantinuar pasi një paciente, e cila nuk tregoi se ishte në Itali dhe u shtrua me simptoma të gripit duke i gënjyer, kanë rezultuar negativë nga koronavirusi.
Këtë e bëri me dije sot Albana Fico, drejtore e ISHP: “Personeli mjekësor i Beratit është rast i përfunduar, personeli i vetëkarantinuar është testuar ka dalë negativ, e ky është lajm i fundit“.
E pyetur nëse ka të tjerë mjekë në Spitalin e Durrësit të dyshuar si të infektuar, Fico e mohoi një gjë të tillë.
“Nuk rezulton të ketë raste të dyshuara të ekipit mjekësor nga Durrësi“, tha ajo, ndërsa nëse ka mjekë e infermierë të vetëkarantinuar në Fier, tha: “Po ka, personeli mjekësor që i ka shërbyer pacientes sa kohë ka qenë në spital“.
Fico i ka bërë apel qytetarëve të japin informacionin e saktë për shërbimet mjekësore. ABC News raportoi se gruaja nga Fieri ishte kthyer më datë 6 mars nga Italia. Pasi ka patur probleme me shëndetin, ajo është paraqitur disa herë në spitalin e Fierit duke u shtruar disa ditë më parë. Pas shqetësimeve, mjekët e kanë shtruar gruan duke e kuruar për probleme pulmonare, ndërsa gruaja nuk ka treguar se ishte kthyer nga Italia.
Alarmi është dhënë vetëm ditën e djeshme pasi gruas 61-vjeçare i dolën analizat pozitive me koronavirus. Fill pas kësaj gruaja është nisur me urgjencë për në Tiranë, ndërsa janë futur në karantinë tani 18 mjekë dhe infermierë të repartit ku ishte shtruar gruaja.
News24 sjell një tjetë raportim shokues. Sipas tyre, 8 persona në Vlorë, gati të gjithë të ardhur prej Italisë kanë rezultuar negativ nga koronavirusi. Ajo që është shqetësuese është fakti se asnjë prej tyre nuk ka treguar se ka ardhur nga Italia, por kanë mbërritur në urgjencë duke u ankuar për dhimbje të ndryshme.