Nga Gëzim Saliu
Kryeministri Rama shpalosi sot 7 pikat e planit ekonomik në ‘luftën’ kundër koronavirusit. As nuk jam ekspert ekonomie dhe as pretendoj ti hyj në thellësi debatit të shifrave, nëse janë shumë apo pak për këtë betejë.
Padyshim nuk jemi as Gjermania e as Franca. Të gjithë e dimë se çfarë kemi “korrurr” gjithë këto kohë nën petkun e pushtetit të Rilindjes. Varfëria, emigrimi dhe korrupsioni kane qenë gangrenat e shtetit, ‘elemente’ të cilat sot nuk kanë nevojë për koment e aq më pak për kundërshti.
Por ajo çka u vërejt qartazi në planin e shpallur nga Kryeministri ishte se më shumë se sa një plan, para shqiptarëve u paraqit një paketë me 7 pika dhe pa shumë hollësi.
Aq pak e kuptueshme, aq shumë i pa detajuar.
Krahas pagesës së kuptueshme 2,5 miliardë lekë për Ministrinë e Shëndetësisë për pajisje dhe materiale mjekësore apo edhe 2 miliardë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes, plani nuk i jep zgjidhje të qartë gjithë atyre që janë detyruar këto kohë dhe nuk duhet për sa në vazhdim, të ndërpresin punën si pasojë e shtetrrethimit.
Në planin e zbuluar nga kryeministri, vetëm pohohet se do alokohen 10 miliardë lekë për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve. Asgjë më shumë! Cilat do jenë këto kompani? Si do përzgjidhen? Kategoritë që përfshihen? Po pjesa tjetër që qëndron në shtëpi dhe nuk është pjesë e kësaj pakete, me çfarë presupozohet të kompensohet pas karantinimit?
Një nisme për tu përshëndetur si pjesë e planit janë 6,5 miliardë lekë për shtresat në nevojë dhe biznesin e vogël, megjithëse shuma duket relativisht e vogël.
Ndërkaq në planin e qeverisë parashikohet fshirja e kamatëvonesave për debitorët aktivë të energjisë elektrike. Vetëm kaq ishte më e mira e mundshme z.Kryeministër!!!
Po uji z. Rama që është më i përdorur se kurrë këto ditë e javë, nuk meritonte më së paku të falej për muajin mars??? Ju vetë dhe autoritetet apelojnë çdo minutë nga ekrani larjen e duarve çdo 20 minuta. Po të mendoni nga ana tjetër edhe ujin e pijshëm, që në Tiranë blihet, kosto e qytetarëve të karantinuar rëndohet edhe më shumë financiarisht.
Dhe madje së bashku me ujin dreqi ta hajë, edhe fatura e dritave duhej te ishte fshirë për së paku këtë muaj, pasi nuk është pak për një familje shqiptare, të mbesë 1 muaj pa rrogë!
E vërtetë se nuk duhet abuzuar me buxhetin, pasi nuk mund të shkojmë në skenarë që mund të sjellin boshatisjen e arkës shtetërore. Por ‘sakrifica’ ndaj qeverisë kërkohet tjetërkund.
Mjafton t’ju kujtoj se vetëm për 2 km rrugë z.kryeministër qeveria kishte parashikuar 42 milionë euro tender. Mos i hyjmë më gjerë debatit të PPP-ve , të cilat sipas opozitës, po ti shfuqizonte do përfitoheshin 120 mln euro për shqiptarët në këto kohë të vështira.
Nga e gjithë videokonferenca e Kryeministrit ,thënia më e vërtetë dhe realiste ishte thirrja ndaj shqiptarëve: “bëhuni gati, koha të shtrëngoni dhëmbët”!