Rrëfimi prekës i Lutfi Dervishit për sëmundjen, “Pesë javë i vetëizoluar”

0
162

Nga Lutfi Dervishi

Edhe ti mund të vetëizolohesh pa shkuar në spital…

Tërmeti i 26 nëntorit për mua ishte shumë më i lehtë se për këdo tjetër. Isha në spital dhe zgjuar. Në spital sapo kisha kaluar 3 javë dhe tre ditët e para (vonë e mësova) në gjendje kritike për jetën.

“Shkundja” që po kaloja ishte më e madhe se tërmeti që tronditi vendin.

Ditët e para ishin të vështira, jo vetëm për pamundësinë për të lëvizur, por më shumë për paqartësinë dhe frikën nga e panjohura dhe nga befasia e sëmundjes. Unë sëmurë?! Çfarë kam?

Me bindjen se çdokujt i mjaftojnë hallet e veta- gjendjen time (përveç familjes) e dinin vetëm 2- 3 miq, që mbetën burim kurajo dhe lidhje me botën që kisha humbur.

Javën e parë çdo lëvizje për kontrolle e bëja duke qëndruar shtrirë në krevat, me ndihmën edhe të tubave të oksigjenit. Për të lëvizur nga një mjek te tjetri duheshin të paktën 3 persona për të më shoqëruar. Një për bombulën e oksigjenit dhe dy për transportin.

Ditët e humbën kuptimin dhe dallimin nga njëra-tjetra. Çdo ditë mori formën dhe përmbajtjen e një të diele të mërzitshme. Pavarësisht rrezeve të diellit çdo ditë dukej gri. E vetmja shenjë dalluese e ditëve ishin gjethet që binin nga pema që shihja gjithë kohën nga dritarja e dhomës. Kur gjethet mbaruan mendoja se ndoshta do t’i shoh sërish në pranverë….

Duhej të përshtatesha me një jetë tjetër. Kjo ishte beteja më e vështirë. E vështirë, sepse mendja ishte në rregull. Mund të shkruaja në celular, mund edhe të bëja shaka, por trupi nuk bindej. Lëvizjet që as që i mendon në ditë të zakonshme më dilnin të pamundura.

Ditët e para trupi pranonte vetëm antibiotikë dhe serume. Edhe kur ju riktheva ushqimit- nuk mund të ushqesha vetë.

Kur je në gjendje të rëndë çdo kujdes sado i vogël dhe i parëndësishëm në dukje bëhet burim lumturie. Në ditën e pestë, Remziu më solli një kafe nga lokali preferuar dhe vetëm aroma e kafesë dhe shija e saj bën diferencën për gjithë ditën.

Fundi i javës së dytë solli një përmirësim të madh. Lëvizja nuk bëhej më me krevat, por me një karrocë. Ishte si të gjeje një gjë të shtrenjtë që të kishte humbur. Fundi i javës së tretë solli edhe lëvizjet. Lëvizje të ngadalta që shpejt ia linin vendin lodhjes.

Këtë javë ndjeva se shërimi po vinte. Ndjeja dhimbje nga vigonët që vendosnin infermierët dhe ishte vështirë të gjeje vend të pashpuar në duar për gjilpëra të reja.

Treguesit e analizave po përmirësoheshin. Nisa të heq tubin e oksigjenit dhe bëja ushtrime: sa minuta mund të rezistoj pa ndihmën e oksigjenit që merrja përmes tubave? Sa gjatë mund të shkruaj?

Dita e daljes nga spitali erdhi më shpejt se ç’e kisha menduar. Kalimi nga spitali në shtëpi ishte një fazë tjetër lirie. Krejt ndryshe. Si të kalosh nga pishina e vogël në det. Në ditët e para mendoja se nëse do të duhet të rri, mund të qëndroj me javë e muaj pa asnjë problem vetëm të mos kthehesha më në spital.

Daljet e para jashtë ishin ecje e ngadaltë, jo më shumë se 200-300 metra pa pushuar. Ditë pas dite, e javë pas jave dalëngadalë rutina u rikthye.

U rikthyen takimi me miqtë e shokët, kafenetë, futbolli, madje edhe vrapi.

Përvoja në spital është e paharrueshme për këdo e paharrueshme për çfarë kalon vetë dhe e paharrueshme mirënjohja për mjekët, infermierët dhe stafin mbështetës.

“Sëmundja vjen me kilogramë dhe largohet me gramë”-, më tha një infermiere ditët e fundit.

Nuk jam tunduar asnjëherë të ndaj publikisht problemet personale, por këto ditë vendosa të shkruaj me idenë se përvoja që kalova mund të ndihmojë dikë që ta shohë dhe ta marrë më me seriozitet koronavirusin.

Të qëndrosh i izoluar nuk është gjë e lehtë. Të qëndrosh i izoluar dhe nën mjekim në spital është sfidë. Të qëndrosh i izoluar në shtëpi është luks. Të kesh mundësi të lëvizësh dhe të dalësh për ajër të pastër, qoftë edhe disa minuta është mrekulli. Fjala “shëndet” mbi të gjitha ka kuptimin e plotë vetëm tek ata që janë apo kanë qenë të sëmurë.

Përvoja në spital më bëri më të kujdesshëm. Nëse në dhjetor apo janar mësoja se një shok ishte me grip, e shmangia takimin me të. Pata fatin që u sëmura, në kohën kur mjekët dhe infermierët e kishin kohën dhe ngenë për t’u marrë me mua. Isha në spital në një kohë ku përveç mjekëve e infermierëve kisha luksin të takoja edhe familjarët dhe miqtë e shokët.

E kisha luksin të kisha celularin në dorë, të komunikoja, të merrja audio dhe video frymëzuese, të dëgjoja muzikë, të lexoja e të shkruaja. Sot, është krejt ndryshe. Nëse shkon në spital do të jesh jo vetëm i izoluar, por do të jesh vetëm. Dëgjoj dhe shoh në rrugë këto ditë plot të shkujdesur që e kanë marrë pak me gallatë virusin e panjohur.

Për mua nëntori i vitit që shkoi kaloi në spital. Dhjetori pothuaj në shtëpi. Por, kaloi edhe janari dhe shkurti dhe po ikën edhe marsi. Muajt dhe stinët do të ikin. Si çdo e keqe dhe e mirë edhe kjo do të kalojë, por është 1000 herë më mirë të kalojë duke ndenjur në shtëpi dhe duke komunikuar me miqtë e shokët përmes what’sapp sesa të përfundosh në spital me një sëmundje që në rastin më të mirë vaksina do t’i gjendet në fund të vitit.

“Sëmundja vjen me okë dhe ikën me derhem”-, thonë tironsit. Ky virus tinzar e ka përmbysur këtë thënie: vjen me miligram dhe mund ikë…

#rrineshtepi #mosprovo(fsh)spitalin!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here