Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, ka kritikuar Kryeministrin për faktin që e ka kufizuar mbështetjen që pret vendi në këtë periudhë epidemie, së cilës nuk i dihet fundi, nxitur nga emri i Presidentit të Turqisë Erdogan, që Rama solli si garanci së fundmi.
Deklarata e mbrëmshme e Ramës se është “i qetë e i sigurtë edhe për skenarin apokaliptik të epidemisë”, mbas bisedës me Presidentin Erdogan (të cilin unë e falenderoj shumë për mbështetjen), më sjell disa dekada mbrapa në kohë, kur dëgjoja deklarimet e udhëheqjes komuniste servile, pa dinjitet e të kompleksuar të asaj kohe për siguritë që i jepte shqiptarëve.
Rama duhet të kuptojë se asnjë kryeministër, në asnjë vend të botës, përveç «republikave të bananeve », nuk i lejohet e nuk mund të bëjë një deklaratë të tillë, duke u fshehur mbas “xhaxhait të madh në Amerikë”, siç thoshin dikur në Shqipëri.
Ai duhet të jetë i qartë me shqiptarët, të marrë përgjegjësitë e tij e mos të fshihet mbas “çadrave” iluzive, duke bërë transparencën e varianteve, masave që duhen marrë, mundësive reale që kemi.
Edhe diçka e këshilloj, në këto momente të vështira, është një gabim tragjik të kufizosh mundësinë e mbështetjes vetëm në një drejtim; në fakt është edhe një provokacion i rëndë ndaj BE, SHBA, vendeve miq që gjithmonë na kanë qëndruar shumë pranë si Italia, që megjithëse po kalojnë me dinjitet një krizë të thellë, jam i bindur që do të na gjenden gjithmonë pranë, pavarësisht vështirësive.”