Vendet kryesore të globit, të prekuara nga pandemia e koronavirusit kanë deklaruar apo miratuar nga institucionet e tyre shuma totale të konsiderueshme fondesh, mbi 6,5 përqind të GDP:
a. Për të asistuar sistemin shëndetësor, pra për të përballuar situatën e re të krijuar nga pandemia;
b. Për të asistuar qytetarët në nevojë që të kenë mundësi të zbatojnë planin e masave drastike e te mos vdesin nga uria apo nga pamundësia të mos zbatojnë masat drastike;
c. Për të asistuar kompanitë dhe ndërmarrjet publike e private që të falimentojnë, pra vendi të mos rrënohet ekonomikisht e kështu të vazhdojë aktiviteti ekonomik në kushtet e pandemisë…
Pra, në varësi të GDP, shtetet e ndryshme, drejtuesit e shteteve kryesore kanë deklaruar shumat përkatëse. Nga analiza e tyrë rezulton se:
1. Franca do të shpenzojë rreth 11 % të GDP, ose rreth 4500 euro për çdo banor.
2. Gjermania do të shpenzojë rreth 14 % të GDP, ose rreth 6600 euro për çdo banor.
3. SHBA do të shpenzojë rreth 7 % të GDP, ose rreth 4000 dollarë për çdo banor.
4. Shqipëria do të shpenzojë 1,5 % të GDP dhe vetëm rreth 70 dollarë për çdo banor???!
E vërteta është më e hidhur: i) 100 milion USD janë vetëm garanci për të marrë kredi nga jashtë, pra nuk shkon për shqiptarët, por e gjitha kjo shumë rrit borxhin; ii) dhe 100-milionëshi tjetër do të rrisë borxhin e njëkohësisht deficitin buxhetor. Pra në total të 200 milion USD janë borxh për çdo shqiptar. Duke parashikuar (kjo është normale në kushtet e pandemisë e të masave drastike) ngadalësimin e ekonomisë, të ardhurat janë zvogëluar me 200 milion USD, duke çuar po ashtu në rritjen e deficitit buxhetor e të borxhit me 200 milion USD të tjerë.
Si përfundim, për arsye transparence me publikun, duhen bërë me dije këto fakte: A) Për pandeminë qeveria vuri në dispozicion 200 milion USD, që matematkisht do të thotë 70 USD/frymë. Por gjysma e tyre (100 USD) nuk do të shkojnë te qytetari se janë garanci për të marrë kredi. Kjo do të thotë se çdo shqiptar në këto momente do të mund të përfitonte realisht jo më shumë se 35 USD. Por nga ana tjetër 100 milion USD e garancisë rrisin vetëm borxhin e çdo shqiptari; B) edhe 100 milion USD e tjerë (65 milion për familjet në nevojë, 25 milion për shëndetësinë, dhe 10 milion (?!) për kryeministrinë) janë premtuar të gjitha duke rritur borxhin; C) ndërkohë 200 milion USD e shkurtuar nga të ardhurat rrisin deficitin buxhetor e borxhin në të njëtën vlerë; D) përfundimisht mund të thuhet se borxhi do të rritet me 400 milion USD (3% GDP) kurse deficiti buxhetor me 300 milion USD. Kjo do të thotë që çdo shqiptari do t’i rritet borxhi me 140 dollarë, ndërkohë që mund të përfitojë jo më shumë se 35 dollarë pavarësisht se në dukje i është deklaruar 70 dollarë.
Bëhen me këtë rast disa pyetje:
a. A kanë shqiptarët prioritet tjetër në këto momente më të madh se mbrojtja dhe ruajtja e shëndetit?
b. Përse Shqipëria deklaron vetëm 1,5 % të GDP e 70 dollarë/frymë duke rritur borxhin me 3% të GDP?
c. A mjaftojnë vetëm 35 dollarë/frymë për të përballuar këtë pandemi?
d. Përse nuk rialokohet buxheti i 2020 duke përcaktuar si shpenzim kryesor këtë prioritet e shmangur kështu një rritje kaq të madhe të borxhit?
Buxheti ka hapësira për të mirëfinancuar këtë prioritet dhe duhet ta bëjë këtë urgjentisht. Përndryshe fjalët e këshillat do të konsideroheshin tallje me jetën e shqiptarëve. Në fund të fundit paratë e tyre shqiptarët e varfër e të pambrojtur kërkojnë t’i shpenzojnë në këto ditë të vështira për të mbrojtur jetën e prindërve dhe fëmijëve të tyre! Shqiptarët s’kanë prioritet tjetër në këto momente!
Nëse kjo s’ndodh, shqiptarët shumë shpejt mund të formulojnë kërkesën për të sekuestruar të gjithë pasuritë e paratë e fituara në mënyrë të paligjshme e korruptive, përmes trafiqeve dhe zhvatjes së pronës e pasurisë publike.