Dy raste të reja janë shënuar me koronavirus në Kosovë, duke çuar numrin e të infektuarve në 33.
Njoftohet se rastet e reja janë nga fshati Vrapçiç i Gjilanit dhe fshati Domanek i Malieshvës.
Këtë e ka bërë të ditur IKSHPK përmes një njoftimi për media.“Sot me 22.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar dhjetë mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe dy prej tyre janë pozitive. Dy prej rasteve pozitive janë raste kontakti njëri me vendbanim nga fshati Vrapçiç komuna e Gjilanit, e gjinisë femër me moshë 50 vjeç dhe tjetri me vendbanim nga fshati Domanek komuna e Malishevës i gjinisë mashkull i moshës 53 vjeç. Nga data 08.02.2020 deri me 22.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 577 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej 33 raste kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftim.
IKSHPK njofton se deri më sot janë kontaktuar 560 kontakte të rasteve që kanë rezultuar pozitiv.
“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 560 kontakte të rasteve që kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftim./kohanet.