Partia Demokratike me anë të ish-deputetes Jorida Tabaku ka reaguar pas publikimit të Aktit Normativ, që ndryshon buxhetin e vitit 2020. Në një reagim në Facebook, Tabaku shkruan se Akti Normativ është i paraqartë dhe nuk prek lekët e oligarkëve.
Sipas ish-deputetes, Akti Normativ i publikuar sot është i pamjaftueshëm jo vetëm në shumën e parave që ofron për këtë situatë por edhe në mungesën e transparencës. Po ashtu ajo shton se këto ndryshime nuk saktësojnë se kush dhe në çfarë forme do të merren ato pak parà të alokuara për qytetarët dhe bizneset
“Akti normativ i publikuar sot është i paqartë dhe si i tillë i shërben më shumë propagandës se sa qytetarëve Qeveria faktoi dhe njëherë se të vetmit të paprekur nga kjo krizë janë oligarkët që marrin milionat e buxhetit, ndërsa qeveria rrit borxhin që duhet ta paguajnë nesër qytetarët. Është koha të kuptojmë se pandemia ekonomike njësoj si ajo e koronavirusit dhe nuk do të bëjë përzgjedhje. Ajo do të godasë demokratë dhe socialistë, pa pasur dallim në bindjen e gjithsecilit. Kjo krizë ka vetëm një rrugë me të cilën mund të luftohet, ndërmarrjen e hapave social-ekonomikë në shërbim të qytetarëve dhe biznesit.
Akti Normativ i publikuar sot është i pamjaftueshëm jo vetëm në shumën e parave që ofron për këtë situatë por edhe në mungesën e transparencës. Akti nuk saktëson se kush dhe në çfarë forme do të merren ato pak parà të alokuara për qytetarët dhe bizneset. Fatkeqësisht edhe kësaj radhe vëmendje ka qenë jo tek qytetarët, bizneset dhe ekonomia. Qeveria nuk prek lekët e oligarkëve por rrit borxhin e qytetarëve. Qeveria nuk prek xhepat e të përkëdhelurve të saj por çon në faliment bizneset e thjeshta.
Shqipërisë do t’i mjaftonin 120 mln euro për fazën e parë të përballimit të kësaj krize. Parà që gjenden në buxhet në zërin e PPP-ve. Këto para mund të kanalizoheshin nga xhepat e oligarkëve në ato të shëndetësisë, qytetarëve dhe bizneseve. Shqipëria nuk është e varfër dhe as e pamundur. Por e keqmenaxhuar, e vjedhur dhe në shërbim të një grushti njerëzish”, shkruan Tabaku.