Kur këshilli i ministrave të BE refuzoi hapjen e negociatave me Shqipërinë në 18 tetorin e 2019-es, qeveria dhe mediat pranë saj propaganduan gati në histeri se ky vendim nuk kishte të bënte aspak me mos plotësimin e kushteve. Lukunia e purpurt e argumentoi refuzimin e katërt rradhazi si një problematikë të brendshme të BE-së.
Kryeministri si zë i parë dhe i gjithë kori rilindas nguli këmbë se “JO-ja erdhi prej kërkesave të Francës lidhur me një riformim të brendshëm të Bashkimit Evropian. Dhe në fakt kjo ishte vetëm një pjesë e së vërtetës, ndërsa anën tjetër të medaljes qeveria e fshehu për publikun.
U desh deklarata publike e Presidentit Macron që të zbërthehej e gjithë panorama e vendimmarrjes së tetorit të vitit të shkuar. Macron theksoi se nuk ishte Franca vendi i vetëm skeptik ndaj hapjes së negociatave me Shqipërinë, duke folur për disa vende të BE-së ( kujtojmë se publikisht kundër ishin edhe Danimarka e Holanda). Së dyti, Presidenti i Francës theksoi se shumica e vendeve donin ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, duke pohuar se kjo e fundit e meritonte hapjen e negociatave.
Ndërsa për Shqipërinë shumica e vendeve ishin të mendimit se nuk kishte përmbushur kushtet kryesore lidhur me shtetin ligjor, luftën ndaj krimit e korrupsionit si edhe numrat e lartë të azilkërkuesve. Dhe në fakt, mjaftojmë të kujtojmë këtu 9 kushtet e Bundestagut gjerman. E megjithatë, në atë kohë së bashku me mendimin e Francës, BE vendosi që Shqipëria e Maqedonia e Veriut mos ndaheshin, gjë e cila padyshim penalizoi fqinjin tonë.
Vendimi i sotëm ishte një përgënjeshtrim i turpshëm i maskaradës qeveritare të tetorit, madje me më shumë kushte të shtuara për vendin tonë.
Ndërkaq duhet theksuar se vendimi i këshillit të ministrave evropianë për hapjen e negociatave është një lajm tepër pozitiv për vendin dhe aspiratën për anëtarësimit në BE. Por 15 kushtet e kësaj “PO”-je janë një shuplakë ndaj propagandës qeveritare, e cila në tetorin e shkuar, sic gjithnjë në fakt ndodh, u mundua që përgjegjësitë e dështimit t’i kalonte përmes gjetjes së ‘armiqve’ të jashtëm.
Vendimi i sotëm i këshillit të ministrave të vendeve të BE bëri një ndarje të qartë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, e cila e mori miratimin pa asnjë kusht. Ndërsa “PO”-ja për ne ishte e shoqëruar me 15 kushte, qartazi një mosbesim i vendeve të BE-së së pari ndaj raportit të Komisionit Evropian dhe së dyti ndaj qeverisë “Rama” në raport me kriteret e shtetit ligjor, luftës ndaj krimit e korrupsionit, të drejtave të njeriut dhe ligjeve ndaj medias.
Kjo e sotmja ishte padyshim një ditë e mirë për shqiptarët, por e turpshme për Qeverinë. Pas 4 dështimeve rradhazi me negociatat, mundi të siguronte një “PO” të shoqëruar me 15 kushte! Si asnjë shtet më parë!
* Kushtet e BE ndaj Shqiperise
1. Ekzistenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë në bazë të Kushtetuese.
2. Reforma Zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSCE/ODHIR duke siguruar një financim transparent të partive politike dhe fushatës elektorale.
3. Plotësimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë duke marrë parasysh ekspertizën ndërkombëtare përfshirë edhe aplikimin e mendimit të Komisionit të Venecias.
4. Shqipëria duhet të përforcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshirë edhe kooperimin me vendet anëtare të BE-së dhe përmes një plan veprimi të adresojë rekomandimet e task Forcës Financiare (FATF)”, thekson materiali i miratuar ditën e sotme.Ndërkohë që qeveria shqiptare do të ketë dhe 11 detyra të tjera shtëpie për të përmbushur.
Sipas materialit Shqipëria duhet të përmbushë:
1. Finalizimi i SPAK sipas formës kushtetuese.
2. Shqipëria duhet të ndërpresë menjëherë numrin e lartë të azilkërkuesve në BE dhe të sigurojë riatdhesimet.
3. Qeveria Shqiptare duhet të amendojë ligjin e mediave në linjën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Këshilli do të vërejë përmes grupeve të punës nëse Shqipëria ka ndërmarrë me sukses prioritetet si:
4. Nisja e procedurave kriminale ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të akuzuar për vepra penale.
5. Nisjen e hetimeve ndaj atyre që kanë kryer blerjen e votave.
6. Duhet të kenë një vijimësi dhe vazhdimësi në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe procedimin dhe përfundimin e procedurave ndaj politikanëve të lartë dhe zyrtarëve të korruptuar.
7. Proces të prekshëm në reformën administrative.
8. Implementimit të reformës elektorale dhe gjithashtu një vendim përfundimtar dhe ligjor në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit.
9. Qeveria shqiptare duhet të angazhohet për të përmbushur kushtet e përcaktuara në vitin 2017 sa i takon minoriteteve etnike.
10. Adaptimin e një ligji për censusin e regjistrimit të popullsisë të kërkuar nga Athina në përputhje me rekomandimet e KE-së
11. Avancimin e procesit të regjistrimit të pronave për minoritarët.