Ndonëse ka kërkuar që qytetarët t’i zbatojnë masat e parandalimit për përhapjen e COVID-19, Presidenti Meta deklaroi se masat mbrojtëse duhet të jenë në harmoni me Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Në emisionin “Përballë” të Lutfi Dervishit në RTSH, Meta tha se kjo është një krizë ku ka pak nga të gjitha në kuptimin që nuk mund të themi që është një krizë e parashikuar në mënyrën më të mirëfilltë, por është një situatë e jashtëzakonshme, është një situatë emergjence dhe është në situatë ku ndeshemi në një farë mënyre me një fatkeqësi.
Sipas tij
Kur flasim për ushtrinë dhe përdorimin e ushtrisë, ka një traditë në Shqipëri, që ushtria përdoret më shumë si zjarrfikës se sa si mjeti i fundit që duhet përdorur. Çfarë shije ju lë dalja e ushtrisë ditët e para me armë në rrugët e Tiranës?
Nuk mendoj që kjo është çështja më e rëndësishme. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme, dhe padyshim derisa është vlerësuar nga Ministria e Shëndetësisë apo qoftë edhe nga Ministria e Brendshme, që ka nevojë për një prezencë të ushtrisë në interes të funksionimit sa më të mirë në tërësi të gjithë rendit publik dhe në ndihmë përsëri të qytetarëve kjo nuk është shqetësuese.
E rëndësishme është që çdo akt të jetë në përputhje dhe të harmonizohet me Kushtetutën e Shqipërisë, e cila gjithashtu ka parashikuar edhe këto situata jo normale.
Çfarë emri duhet t’i vëmë kësaj situate? Të flasim për krizë, flasim për gjendje të jashtëzakonshme, për gjendje të fatkeqësisë natyrore, për gjendje lufte?
Kjo është një krizë ku ka pak nga të gjitha në kuptimin që nuk mund të themi që është një krizë e parashikuar në mënyrën më të mirëfilltë, por është një situatë e jashtëzakonshme, është një situatë emergjence dhe është në situatë ku ndeshemi në një farë mënyre me një fatkeqësi.
Kështu që të gjitha këto së bashku duhen trajtuar me vëmendje dhe duhet të jetë gjithçka në harmoni edhe me Kushtetutën e vendit, por njëkohësisht edhe me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut në mënyrë që edhe shëndeti i qytetarëve të ruhet dhe të mbrohet, sepse kjo është një detyrë e parë e çdo shteti demokratik, por njëkohësisht edhe interesat e shtetit në një plan afatgjatë të jenë të mbrojtura dhe të ruajtura.
Kur flasim për gjendje të jashtëzakonshme një nga shqetësimet është edhe gjendja e shtresave vulnerabël. Ka pasur një shqetësim për gjendjen e të burgosurve dhe a do të mundet që edhe ata të mbrohen si të gjithë të tjerët nga kjo situatë, nga koronavirusi?
Pa asnjë diskutim që kjo është një detyrë mjaft e rëndësishme, pasi padyshim që edhe ato janë të rrezikuar dhe në këtë mënyrë unë shpresoj që të jenë marrë të gjitha masat pikërisht për të garantuar sigurinë e tyre dhe shëndetin e tyre.
Në intervistën që dhatë për emisioni “Përballë” fill pas tërmetit ju thatë që detyra e një politikani në kohë krize është që të sillet si i përgjegjshëm. Pyetja ime është, a e vlerësoni se po sillen në mënyrë të përgjegjshme politikanët në këtë moment? Politika është lënë mënjanë këto ditë, por nuk është se ka qenë e heshtur, cili ka qenë vlerësimi juaj, çfarë do të donit ju të shikoni nga përfaqësuesit politikë në këto momente?
Së pari është pozitive që e gjithë politika është e fokusuar te shëndeti i qytetarëve. Së dyti, qeveria ka ndërmarrë të gjithë masat e saj që janë bërë publike, njëkohësisht kemi vënë re që edhe opozita ka qenë mjaft e angazhuar në gjithë këtë proces dhe në këtë sfidë edhe me propozimet e saj të vazhdueshme.
Kemi vënë re që politikanët janë përpjekur të japin shembullin e respektimit të distancave sociale. Sigurisht që është një proces që ka nevojë edhe për më shumë bashkëpunim, edhe për më shumë gjithëpërfshirje dhe për bashkimin e të gjitha energjive pozitive dhe të gjitha kapaciteteve që Shqipëria ka në fushën e shëndetësisë, por edhe në fushën e ekonomisë.
Në përballimin e kësaj epidemie është folur për disa modele. Është folur për modelin kinez, për modelin korean, për modelin italian, modelin e Gjermanisë. Nga informacionet dhe kontaktet që ju keni pasur me përfaqësues të qeverisë, çfarë mendoni se ne kemi mësuar nga të tjerët, që janë disa javë përpara në përballimin e koronavirusit?
Në radhë të parë, referencat kryesore kanë qenë ato të OBSH-së, që gjithashtu kanë qenë të ndryshueshme në varësi edhe me eksperiencat e ndryshme që kanë ardhur nga Kina apo që kanë ardhur nga Itali, Spanja dhe vende të tjera. Skenarët e qeverisë shqiptare janë bazuar në skenarët e OBSH-së. Nuk mund të themi që mund të ndiqet apo do të ndiqet një model i caktuar, sepse vende të ndryshme kanë tipare të veçanta, por mendoj që ne gjithashtu kemi patur edhe eksperiencat tona pozitive në të kaluarën, sikurse është rasti i SARS-it, rasti i gripit të derrit apo rasti i krizës së Kosovës. Të mos harrojmë që ka qenë një krizë e paprecedentë humanitare dhe resurset kanë qenë tepër të mangëta.
Ajo që unë mendoj se është kryesore është ndërgjegjësimi i të gjithë qytetarëve, është një mesazh bashkëpunues, edukativ, që çdo qytetar të ndihet pjesë e përballimit të kësaj sfide dhe njëkohësisht edhe transparenca është mjaft e rëndësishme në mënyrë që të gjithë të kuptojnë që shteti, që qeveria, që të gjithë institucionet po bëjnë më të mirën se në fund fare qytetari jetën e tij të përditshme në kushte normale kryesisht e përballon vetë dhe domosdoshmëria e shtetit bëhet akoma dhe më e madhe për çdo qytetar në momente të tilla, kur ai mund të ndihet i pafuqishëm, i vetëm të përballojë nevojat më të rëndësishme të ekzistencës së tij, por njëkohësisht ka nevojë edhe për kurajo sa më shumë për një të ardhme, për një perspektivë më të mirë pas kësaj krize apo kësaj fatkeqësie.
Politikanët në vendimet e tyre në këto momente dëgjojnë ekspertët, por shkenca ka ecur përpara duke gabuar, duke bërë eksperimente. Kam parasysh në ditët e para, ku ende këtu nuk kishim rastet e krizës, ekspertët, që i dëgjojmë dhe sot thonin që ky është grip i lehtë, ka karakteristikë që nuk i prek fëmijët, por prek vetëm moshat e mëdha dhe tani po ndodh që situata është krejt tjetër. Sa druheni që duke dëgjuar në mënyrë strikte vetëm ekspertët ndoshta vendimmarrja politike ndonjëherë mund të jetë e gabuar?
Duhet të kemi parasysh qe jemi në përgjegjësinë e një stine virozash, pra jo vetëm problemi COVID-19, që është një problem i ri dhe është një problem madhor, sepse kemi të bëjmë me një kundërshtar ende të panjohur mirë, të paidentifikuar dhe këtu është rreziku dhe shqetësimi kryesor, sepse nuk ka edhe një protokoll të saktë e të sigurt për ta luftuar atë.
Por, mos të harrojmë që është edhe një situatë në tërësi gripi, virozash dhe statistikat janë shumë të larta siç është gjithmonë në këtë periudhë të vitit. Rreziku më i madh është që ky kundërshtar i panjohur dhe ende i paidentifikuar mirëm duke u bashkuar edhe me viroza të tjera apo me probleme që kanë të sëmurë kronikë mund të rezultojë fatale.
Për fat të keq ka rezultuar edhe në disa raste këtu të ne dhe në shumë raste të tjera në Itali apo në vende të tjera. Theksoj edhe njëherë tjetër, që kjo është një luftë, një betejë ku mekanizmi parandalues, reagues vjen duke u përmirësuar, sepse e gjithë bota është në këtë proces jo vetëm ne.
Virozat e stinës do përfundojnë pas dy apo tre javësh dhe pastaj do të mbetet vetëm koronavirusi. Nga informacionet që ju keni dhe nga kontaktet me zyrtarë të qeverisë, ka shenja që do të bëhet më mirë, apo do të bëhet më keq, para se të bëhet më mirë?
Sigurisht, të gjithë do dëshironim që të bëhet më mirë dhe që kjo të ndodhte dje, jo sot apo nesër, por jo çdo gjë varet në dorën tonë. Ka disa faktorë të cilët ndikojnë edhe në ecurinë në vendin tonë dhe këto janë në radhë të parë faktorë të cilët kanë të bëjnë me faktin që kemi të bëjmë më një sfidë globale.
Varet shumë sesi do të eci edhe në raport me vendet e tjera dhe në rastin tonë sigurisht, ecuria në Itali është mjaft e rëndësishme dhe shpresojmë që aty të ketë përmirësime. Pra, më e keqja të ketë kaluar, ta kemi lënë pas.
Por, në çdo rast ne duhet të përgatitemi edhe për një variant edhe më të vështirë, në mënyrë që të mos jemi të papërgatitur dhe të mos kalojmë në një situatë paniku apo daljen nga kontrolli të menaxhimit të kësaj situate dhe për momentin duhet të pranojmë që është nën kontroll.