Shtetasit shqiptarë jashtë Shqipërie, si qytetarët e një vendi pa shtet!

0
174
Nga Sali Berisha

Një dramë njerëzore e përmasave të paimagjinueshme po zhvillohet sot me mijëra qytetarë shqiptarë të braktisur dhe të ndëshkuar nga vendi i tyre në një qëndrim antikushtetues, kriminal, çnjerëzor, të narkoshtetit shqiptar të Edvin Kristaq Mafisë dhe bandës së tij, i cili ka mbyllur kufijtë detarë dhe ajrorë të vendit edhe për shtetasit shqiptarë.

Me këtë vendim të pashembullt në botë, de facto u është mohuar kthimi në atdheun e tyre, mijëra e mijëra qytetarëve shqiptarë, të cilët urdhri për mbylljen e kufirit i gjeti për arsye nga më të ndryshmet, jashtë vendit.

Ata kanë shkuar në vendet ku janë si turistë, si vizitorë, si punëtorë mëditës me vizën tremujore, si studentë në shkolla apo universitet, që tani janë mbyllur, si afaristë për takime biznesi, si të sëmurë që kanë gjetur mundësi të shtrohen dhe mjekohen në ato vende, por qindra dhe mijëra prej tyre emigrantë, të cilëve u janë mbyllur ndërmarrjet ku punojnë dhe duan të kthehen tek fëmijët dhe familjet e tyre, të gjenden pranë tyre në këtë kohë të vështirë.

Për të gjithë këta që ndodhen në vende pa kufij tokësorë me Shqipërinë, narkoshteti, duke bërë bllokimin e porteve dhe aeroportit, ka bërë të pamundur kthimin e tyre.

Ata sot janë në mëshirë të fatit.

Mesazheve dhe telefonatave të tyre, për shkak të urdhrit kriminal të Sulltan Salep Surrelit, të ndryrë për vete në vrimën e miut, në sarajet e tij luksoze nuk u përgjigje asnjë ambasadë, konsullatë, ministri etj.

Sot ata janë atje si shtetas të një vendi pa Shtet.

Ndërkohë që të gjitha vendet përdorën linjat e tyre ajrore për riatdhesimin e shtetasve të vet, Sulltan Salep Surreli, i cili një vit me radhë mashtronte shqiptarët për ngritjen e linjës ajrore kombëtare, de fakto personale, jo vetëm që nuk përdor atë për t’i kthyer, por u mbyll atyre kufijtë e vendit.

Një qëndrim të tillë antikushtetues, armiqësor dhe çnjerëzor që mban narkoshteti ndaj shtetasve shqiptarë, me pretekstin se mund të jenë të infektuar, mbante vetëm Enver Hoxha ndaj diasporës tonë politike dhe mbanin regjimet mesjetare, të cilët, njerëzit e infektuar i digjnin me shtëpi e katandi.

Me këtë rast u bëj thirrje, Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmëhënës së Kuqe, të ndërhyjnë menjëherë në mbështetje urgjente të këtyre qytetarëve, t’i vendosin ata nën kujdesin e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës të vendeve ku janë dhe të nisin menjëherë demarshet pranë narkoshtetit, për riatdhesimin e tyre, qoftë dhe duke e detyruar me sanksione nëpërmjet OKB.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here