Rrëzimi i Albinit, triumfi i një modeli

0
158

Nga Armand Shkullaku

Kush e ka ndjekur trajektoren e shkurtër të këtyre pak ditëve të Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës, nga marrja e detyrës e deri tek rrëzimi i telekomanduar mbrëmjen e së mërkurës, ka konstatuar kontrastin e tmerrshëm mes tij dhe një kapice politikanësh në dy anët e kufirit, që janë të gatshëm të zvarriten në çdo batak kulisash e të pranojnë çdo nëpërkëmbje, vetëm për të mbajtur pushtetin.

Në dekadat e fundit kemi përjetuar mutacione integriteti dhe deformime personalitetit të shkaktuara nga pushteti, të njëjta me ato të viruseve që duan të mbijetojnë duke rrënuar jetët e njerëzve. Pavarësisht vullnetit të qytetarëve, ne kemi parë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, se si zhvlerësohej vota e tyre nga kryqëzimet hibride mes partive që deri dje urreheshin dhe fara e sundimit papritur i bënte bashkë. Akuzat për vjedhje, vrasje, krime etj, e që shkonin deri tek shtretërit familjarë, papritur mbylleshin në arkiva përballë joshjes nga torta e pushtetit. Për vite e vite, vota kontrabandohet duke e futur në një krizë të thellë demokracinë e brishtë përfaqësuese, në emër të një grushti njerëzish që ekzistencën e tyre e kanë të lidhur vetëm me karriken ku vegjetojnë pa prodhuar asgjë të mirë për qytetarët e tyre.

Albin Kurti mund të kishte pranuar kompromis edhe me Hashim Thaçin, ai mund të mos i përjashtonte partitë e PAN nga një koalicion i mundshëm që mund ta mbante kryeministër. Ai mund ti thoshte edhe Rickit: “sir yes sir” dhe të vinte firmën mbi një akt që s’dihet se ku mund ta çojë Kosovën. Madje ai mund të mos i kthente mustaqet e Veliut në mustaqe të Çelos dhe të përtypte në heshtje nënshtrimin nga partneri qeverisës për të ruajtur pozitën e të parit dhe për të mbaruar punët e veta. Mund ta përkthente koalicionin qeverisës në koalicion të posteve dhe interesave duke ndarë pjesën e përfitimit që të gjithë të mbeteshin të kënaqur. Mirëpo Albin Kurti e kishte lexuar ndryshe votën e 6 tetorit.

Mijëra e mijëra njerëz që votuan për të dhe Vjosa Osmanin, votuan pikërisht për t’i dhënë fund pazarit të vjetër që nga kutitë nxjerr të njëjtin mall të skaduar, pavarësisht nga ajo që ke zgjedhur në vitrinë. Kurti mund të ishte zvarritur, siç kanë bërë të gjithë, për të garantuar numrat që do e mbanin në pushtet, mirëpo në dilemën për të qënë një nga ata, apo një model i ri i ndryshimit, ai zgjodhi të dytën.

Politikanë si Kurti e Osmani, janë adn-ja e pamodifikuar e atyre politikanëve që pushtetin e konsderojnë si një mjet për të arritur një qëllim dhe jo si qëllim në vetvete. Dhe qëllimi i këtij binomi në fushatën e fundit elektorale, ishte pikërisht ndryshimi i këtij modeli të politikanit. Të modelit të shpifur që harron çdo premtim pasi merr votat, që nuk e ka për gjë të tradhëtojë besimin e votuesve, që pranon çdo përdhunim personaliteti vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin- qëllimin ekzistencial të qënies së tij.

Në këtë kuptim, përballja e drejtpërdrejtë me një rrëzim të telekomanduar, ishte e mira më e madhe që qeveria 50 ditore e Kurtit, i bëri shoqërisë kosovare.

U rrëzua një qeveri, por mbijetoi një model. Çdo veprim tjetër i Kurtit mund të ishte mbijetesë për të, por triumf i virusit që do të vinte përfund çdo qelizë të shëndetshme të shoqërisë. Ai nxorri në pah hipokrizinë e fosileve të LDK dhe një pjese të elitave e mediave të Kosovës, që bërtisnin për ndryshim dhe kur ky ndryshim u erdhi tek dera u lemerisën si virusi nga vaksina. Sepse ata nuk mund të mbijetojnë dot në një terren të shëndetshëm, ku meritat ndahen sipas punës, fuqia sipas votës dhe të mirat sipas aftësisë. Të gjithë u bënë bashkë nën thirrjet “Amelika, Amelika”, për të fshehur kokën në zallin e paaftësisë dhe molepjes së tyre.

Rrëzimi i Albin Kurtit, është një shans më shumë që shoqëria kosovare të reagojë ndaj të keqes që tenton t’i marrë frymën. Albini i vetë shkoi i qetë drejt këtij fundi, jo sepse është i sigurtë në fitoren e ardhshme, por sepse motivi i qënies së tij politike nuk qënka dhe nuk është pushteti me çdo kusht. Ndoshta kjo e bën modelin e tij të jetë i frikshëm për të tjerët, edhe kur është i rrëzuar./Lapsi.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here