Detaje të reja dalin në dritë nga gjendja e pacientëve në Kosovë të prekur nga koronavirusi. Mësohet se nga 71 personat e prekur, 32 prej tyre qëndrojnë në spital. Mësohet se 25 pacientë paraqiten në gjendje të qëndrueshme, ndërkohë që 7 të tjerë janë në gjendje më të rëndë, duke u trajtuar me oksigjen.
32 persona nga ta janë të shtrirë në Klinikën infektive duke qëndruar kështu nën vëzhgimin e mjekëve. Nga ta 25 janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë që 7 të tjerë janë në gjendje më të rëndë. Detaje për këta pacientë kanë dhënë sot gjatë ditës për Gazetën Express, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Gjendja e të prekurve është e stabilizuar. Për momentin 32 pacientë janë me Covid-19 duke u trajtuar në infektivë. 25 janë në gjendje të qëndrueshme, ndërsa 7 të tjerë kanë nevojë për oksigjenoterapi”, ka deklaruar për Express, Faik Hoti shef i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë.
Ndërkohë, dy pacientë janë drejt shërimit, ndërkohë që testet e dyta kanë rezultuar negative.
“Unë po i pres edhe rezultatet e tjera. Djali i personit që vdiq nga Podujeva nga koronavirusi, në testin e dytë ka dalë negativ. Po e presim edhe testin e ri të konfirmimit. Gjatë javës së ardhme pritet që t’i kemi pacientët e parë që të jenë të shëruar”, tha Ahmeti. Kujtojmë se Kosova më 22 mars regjistroi edhe viktimën e parë nga koronavirusi.