Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar se në Siri nuk është regjistruar as edhe një rast me coronavirus, kjo ndoshta për faktin se në vendin që është goditur nga lufta civile deri më tani nuk është bërë as edhe një test.
Megjithatë të dielën mbrëma, qeveria siriane ka bërë të ditur se është regjistruar një rast me fatalitet. Sipas ministrit të Shëndetësisë, fjala është për një person që ka ardhur nga jashtë, transmeton Telegrafi.
Mjekët në Idlib me të cilët ka biseduar gazetari i Süddeutsche Zeitung, pajtohen që zona që është nën kontrollin e rebelëve është plotësisht e papërgatitur në rast se vjen deri te përhapja masive e virusit, duke theksuar se infrastruktura shëndetësore është e mjerueshme.
Pjesa veriperëndimore e Sirisë është shumë e rrezikuar për shkak të kushteve të rënda për tre milionë refugjatët dhe të dëbuarit, shkruan Süddeutsche Zeitung. Sistemi shëndetësor në Siri ka rënë plotësisht pas plotë nëntë viteve luftë civile, e mbi të gjitha vlen më së shumti për pjesën veriore, ku rebelët mbajnë nën kontroll provincën Idlib dhe rajonin e Alepos.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara në këtë rajon të paktën një e treta jetojnë në tenda, nëpër punëtori apo hapësira të improvizuara siç janë stadiumet dhe hapësirat që janë në pronë të komunës. T’i përmbahesh rregullave të distancës në një tendë me 12 persona është e pamundur, kurse në mungesë të ujit, pastrimi i vazhdueshëm i duarve dhe trupit është gjithashtu i pamundur.
Duke pasur parasysh se në rajonin e Idlibit që është nën kontrollin e rebelëve në kushte të mjerueshme jetojnë qindra mijëra persona, duhet pritur përhapje masive të sëmundjeve të mushkërive, vlerëson Abd al Hakim Ramadan, mjek në Idlib.
“Nëse vjen deri të përhapja masive e virusit, duhet pritur më shumë se 100 mijë raste të vdekjeve, duke marrë parasysh se nuk kemi pajisje për të parandaluar përhapjen e virusit”, shtoi mjeku.
Përveç kësaj, mungojnë testet, hapësirat për karantinim, shtretër për kujdesin intensiv, aparate për frymëmarrje dhe personel mjekësor. E duke u thirrur në informatat e mjekëve lokal, New York Times, ka shkruar se në Idlib ekzistojnë vetëm 153 aparate për frymëmarrje.
Por imune nuk janë as pjesët tjera të Siri, pasi ekziston rrezik i madh i përhapjes së coronavirusit. Në anën tjetër qeveria e Bashar al-Assadit pretendon se kanë kryer qindra teste që kanë rezultuar negative. Në anën e ushtrisë siriane luftojnë milicia shiite nga Irani, Afganistani, Pakistani dhe Libani, kurse kufizohet me Iranin që është një nga vendet që është prekur më së shumti nga COVID-19.
Siria javën e kaluar ka ndalur trafikun ajror në drejtim të vendeve tjera, të njëjtën kohë Damasku po shfrytëzon frikën e coronavirusit duke kërkuar heqjen e sanksioneve të vëna nga SHBA dhe BE.