Nga Sadik Bejko
Ndonjëherë njerëzit bëhen orakuj të vetes, parashikues të zymtë të së pritmes së tyre. Shohin ëndrra, u shfaqen shenja, dëgjojnë zëra që u bëhen si lajmëtarë të ngjarjeve të bukura apo të hidhura që do t’u ndodhin. Thonë se me këtë dhunti të parashikimit të së ardhmes më së shumti janë të pajisur poetët.
Poezia e Vilson Blloshmit “Dhe shpirti i të vdekurve…” hyn ndër ato poezi që quhen profetike. Në vargjet e poezisë shpirti i të vdekurve me pishtar në dorë rend drejt tij, i prek shpirtin, lotët. Ky vegim infernal mund të merret dhe si një parlajmërim fatal për fundin e tij me ekzekutim gjashtë vjet më pas. Poezia nuk ka titull. Atë po e quajmë “Dhe shpirti i të vdekurve…” meqë vargu i parë fillon me këto fjalë.
Nga radha, sipas kohës kur u shkrua, ajo renditet poezia e dytë e Vilson Blloshmit, shkruar kur poeti ishte 21 vjeç. Atëherë ai punonte si druvar në sharrat e Stravajt.
Vilson Blloshmi nuk ka lënë ndonjë listë me titujt e poezive që kishte shkruar. Ai i donte, i dinte përmendësh poezitë e tij, por nuk kujdesej njëlloj për të gjitha. Pasi i shkruante, disa prej tyre i linte të hedhura në letër vetëm me dorën e parë: disa të tjera vijnë të ripunuara mjeshtërisht. Poezitë i gjejmë të shkruara me stilolaps nëpër copa letrash, ndonjëherë në dy motërzime. Nuk u ka dhënë të gjithave një variant përfundimtar.
Poezia “Dhe shpirti i të vdekurve…” nuk ka as dorëshkrim. Atë e kemi nga një fotografi që i është bërë dorëshkrimit origjinal, të shkruar mbi mbulesën e pasme të një reviste “Nëntori”. Revista “Nëntori” atëherë ishte organi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë.
Fotografia e dorëshkrimit sjell shtatë vargjet e poezisë. Poshtë tyre shënohen data dhe ora kur u shkruan, “30 qershor 1971, ora 4 katër e mëngjesit”. Ndën këto vjen një tekst me 7-8 fjalë në frëngjisht, më në fund, dhe nënshkrimi i autorit: V.B.
Pse nuk e gjejmë dorëshkrimin?
Në prill të vitit 1976, kur nisën arrestimet e vëllezërve Blloshmi, revista ku u shkrua poezia, bashkë me shumë libra të tjerë u groposën nën tokë në kopshtin e kullës së Blloshmeve në fshatin Bërzeshtë. Pas vitit 1991 librat dhe revista u “çvarrosën”. Ajo revistë dhe disa nga librat ishin dëmtuar rëndë, qenë mykur dhe kalbur. Një gisht gjerësi nga ana e djathtë e letrës (kapakut të pasmë të revistës “Nëntori”) ku qe shkruar poezia, ishte e kalbur, ndaj fjalët e fundit të vargjeve të poezisë si dhe fjalët në fund të reshtave të tekstit frëngjisht nuk mund të lexohen.
Po e zbardhim të gjithë tekstin e dorëshkrimit nga fotografia. Fjalët që nuk lexohen i kemi vënë në kllapa me tri pika midis, ndonjëherë dhe pikëpyetje për fjalët e paqarta.
***
Dhe shpirti i të vdekurve në dorë me një pish(tar…)
Vrapon, del i dalldisur nga humbja e ndien (v…)
Hapësirës në çdo vend.
Përzien krahë, flatra me shpirtin tim takon (…)
Mbi detin e qetësisë, mbi dallgë kalon (…)
Takojnë një pikë nga lotët që rrodhën uj(…)
Dhe dhimbja ndrin argjend.
30 qershor 1971
Ora katër e mëngj(esit)
Poezia është shkruar me nerv. Me shpejtësinë e improvizimit. Vilson Blloshmi kishte shkrim të bukur, por lodhja, ora katër e mëngjesit…vrulli i frymëzimit e bëjnë shkrimin gati të palexueshëm.
Teksti në frëngjisht vjen i shkruar më me shpejtësi. Pa shkronjë të madhe në fillim të fjalisë, me gabime drejtshkrimi, me korrigjime… ky tekst i ndërprerë dhe nga dëmtimet prej kalbëzimit për mua mbetet i paqartë.
“qund me souvient en somment (?)
le minuet pour piano…
orkestre de Budapest (jo e qartë fjala Budapest)
que je ecoute une jour ande(?)….”
Këtu afërsisht bëhet fjalë për një pjesë muzikore, një minuet në piano, luajtur nga orkesta e Budapestit (?) të cilën një ditë ai e ka dëgjuar…(?).
2.
Kjo poezi, dhe pse si tekst vjen e dëmtuar, ka vlera të dëshmuara artistike për të cilat do shkruaj më poshtë.
Së pari ajo ka rëndësi për të na treguar dhe se si shkruante e punonte Vilson Blloshmi.
Si shkruante poeti?
Për këtë dëshmojnë letrat dërguar së kushërirës, Lumturi Blloshmit, atëherë studente për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë
Ja një fragment nga letra e datës 6.11.1972. Letër e shkruar frëngjisht. “Je voudrais ècrire encore mais je n’ècris plus. Maitenant des Farouches penses tranversent mon cerveai. Je me suis las. Mon corps veut dormir, mais mon esprit veut sèenvoler. Ainsi que l’un tire dela et l’autre dela. Il est trop tard”…. .
“Do të shkruaja më shumë, por nuk po shkruaj më. Mendime të ashpra kalojnë në mendjen time. … Trupi im do të flejë po shpirti im do të fluturojë. Kështu që njëri më tërheq këndej. tjetri andej. Është shumë vonë”.
Vetminë e netëve pa gjumë ai e shoqëronte me muzikë. Në letrat për të kushërirën, Lumen, shkruan se po dëgjonte në radio këtë apo atë pjesë nga repertori i muzikës klasike… Moxart, Bethoven…. Ditën punonte në sharra, në miniera, netëve lexonte, shkruante. Ishte i pagjumë, shpesh i gdhinte netët. Këtë e dëshmon vargu i një poezie: “Dhe shpesh bashkoj unë mbrëmjen me mëngjezë…”.
Natën e 30 qershorit 1971 ai e ka gdhirë. Është ora katër e mëngjesit. Poeti vë firmën në fund të një poezie me imazhin e vdekjes që po e ndjek.
Një i ri 21 vjeç trajton temën e vdekjes në poezi. Kjo nuk ndodh rëndom. Atëherë poezitë me këtë temë quheshin pesimiste, dekadente. Redaktorët t’i hiqnin nga librat, nuk t’i botonin në gazeta. Ishte koha e heroizmit propagadistik. Në gazeta botoheshin himne për heronjtë e punës që, dhe kur vdisnin, e kishin mposhtur (siç!) vdekjen.
Vilson Blloshmi ka disa poezi me temën e vdekjes: “Një makth i llahtarshmi”, “Kur u ktheva sërishmi”, “Dhe mua më duhet të vrapoj”. Janë poezi-makthe, të cilat vetëm sa i ka zbrazur në letër. Nuk u është kthyer për ripunim.
3.
Më poshtë po sjellim një lexim të mundshëm të kësaj poezie.
Shpirti i të vdekurve nëpër natë me pishtar në dorë vrapon ngado hapësirës. Ky është një imazh dantesk, i pashoq në letërsinë shqipe.
Ky është imazhi themelor i poezisë, i dhënë që në vargun e parë. Mbi këtë imazh shkallë-shkallë ndërtohet e gjithë poezia
Imazhi i dytë: (Shpirti i të vdekurve me pishtar në dorë) vrapon del, i dalldisur nga humbja.
Imazhi i tretë: (Shpirti i të vdekurve me pishtar në dorë) Hapësirës në çdo vend.
Imazhi i katërt: (Shpirti i të vdekurve me pishtar në dorë) përzien krahë, flatra, me shpirtin tim takohet.
Imazhi i pestë: (Shpirti i të vdekurve me pishtar në dorë) mdi detin e qetësisë, mbi dallgë kalon
Imazhi i gjashtë: (Shpirti i të vdekurve me pishtar në dorë) takojnë një pikë nga lotët që i rrodhën
Imazhi i shtatë: Dhe dhimbja ndrin e argjendtë
Nuk e dimë pse shpiri i të vdekurve del i dalldisur nga humbja dhe vrapon me pishtar në dorë anë e mbanë hapësirës, në çdo vend. Shpirti i të vdekurve sikur për një çast ka humbur zotërimet e veta, pastaj zgjohet dhe synon t’i ripushtojë ato… hapësirat në çdo vend. Trajtat e imazhit zgjerohen në përmasat e një vizion universal. Ai rreh krahët, flatrat, takon dhe shpirtin e poetit (rastësisht), kalon mbi detin e qetësisë, mbi dallgët oqeanike. Ka triumfuar në qiell e ujë e ngado. Ka triumfuar mbi netët oqeanike, mbi humbjen, qetësinë, dallgët, hapësirat, vjen dhe i prek poetit lotët, dmth fundin. Ai i është dorëzuar këtij shpirti universal, të pamposhtur.
Në gjithë këtë vizatohet një forcë demoniake, një shpirt i errësirës, mbizotërues universal, me pishtar në dorë, vigjëlues ndaj gjithë hapësirave. Vegim i pashembullt i territ.
Në vargun e fundit “Dhe dhimbja ndrin argjend” ndodh e pandodhshmja, gjithëçka argjendohet. Infernalja vetëm me tri fjalë zmbapset. Çfarë ka ngjarë? Si ka mundësi?
Nditja argjendore është e kundërta e vdekjes. Nuk ka mbetur asgjë skëterrore, e përzishme. Paqëtimi argjendor ia mbyll perden shpirtit të vdekjes së dalldisur që rendte me pishtar në dorë…
Vdekja, pra, pranohet si paqëtim, si shpëtim… Dhe të mendosh që poeti është një i ri 21 vjeçar. Pas natës së ankthshme të datës 30 qeshor 1971 makthet, terret e natës janë shterrur, janë platitur….nga lart drita e agimit i argjendon brigjet përballë Bërzeshtës.
Një ditë e re po lind.